AlbanianSport.com 25/02/2021 17:50
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve zhvilloi ditën e fundit të grumbullimit miqësoren e radhës me ekipin kombëtar të Nën-18-vjeçarëve, në kuadër të grumbullimit 3-ditor që skuadra kuqezi zhvilloi nën urdhrat e trajnerit të ri, Armando Cungu. Në ndeshjen e luajtur në Durrës, ekipi kuqezi Nën-18-vjeçarëve, i drejtuar nga trajneri Ardi Behari, u rreshtua me këtë formacion fillester në fushë: Dani, Kurti, Preka, Spahija, Bytyçi, Osma, Pjeshka, Alivoda, Sulovari, Arapi dhe Shahaj.
Ndërsa në formacionin e 19-vjeçarëve u rreshtuan në formacion fillestar Kaçaj, Smajli, Paloka, Shani, Musaj, Stafa, Kuka, Cahani, Gjumsi, Mema dhe Nikaj. Gjatë kësaj miqësoreje u aktivizuan të gjithë lojtarët e ftuar për këtë sfidë nga të dyja ekipet. Takimi përfundoi me fitoren 1-0 të ekipit kombëtar të Nën-18-vjeçarëve, ndërkohë që Cungu pati mundësinë të vëzhgonte të gjithë lojtarët e vitlindjeve 2002-2003. Një pjesë e lojtarëve aktivizohen në ekipet e huaja, teksa nuk mungonin as shumë elementë mjaft të talentuar të kampionatit shqiptar.
Ashtu si edhe në ditët e tjera kjo miqësore është ndjekur nga afër edhe nga specialistët e sektorit të ekipeve Kombëtare në FSHF si edhe trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave Nën-15-vjeçarëve, Nën-17-vjeçarëve dhe Nën-21-vjeçarëve. Me këtë miqësore është mbyllur ky grumbullim 3-ditor i elementëve premtues të Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve.