AlbanianSport.com 24/02/2021 23:55
ASNN – Mançester Siti mund 2-0 Mënshengladbahun, Reali vuan për një 1-0 me Atalantën në Itali. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka mbyllur të mërkurën ndeshjet e para të turit të 16-shes, me përballjet e dy çifteve të fundit, që, ndryshe nga e marta, kanë qenë më të vakëta sa i përket shënimit të golave.
Kështu, Mançester Siti ka shënuar nga një gol për secilën pjesë loje, për të mposhtur Borusian e Mënshengladbahut në takimin që, për shkak të kufizimeve të skuadrave angleze për të udhëtuar drejt Gjermanisë, është zhvilluar në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
Bernardo Silva i kalon anglezët në epërsi në minutën e 29-të, pas një pasimi të Zhoao Kanselos, ndërsa në pjesën e dytë, është ai vetë që shërben për Gabriel Zhezusin në minutën e 65-të, për golin e dytë të Mançester Sitit, që merr kështu me vete një fitore të vyer për ndeshjen e kthimit në shtëpi.
Ndërkaq, Atalanta ka pritur Realin e Madridit, në një takim ku vendasit kanë luajtur me 10 lojtarë që nga minuta e 17-të dhe ku janë dorëzuar vetëm 4 minuta para fundit, kur Mendi shënon golin e vetëm për spanjollët. Ndeshjet e kthimit të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve luhen përgjatë dy javëve të ardhshme.