AlbanianSport.com 24/02/2021 22:25
ASNN – Dy shkodranët përsërisin suksesin e Ballkanikut, marrin medalje të artë e të argjendtë. Izmir Smajlaj ka marrë një tjetër medalje të artë të mërkurën në mbrëmje, duke triumfuar kundër 7 rivalëve të tjerë në Mitingun e Atletikës në Salla të Mbyllura “Serbian Open 2021”, të mbajtur në Beograd. Kampioni shqiptar i Evropës në disiplinën e kërcimit së gjati ka dëshmuar edhe një herë qëndrueshmërinë në rezultatet e tij, pas dëmtimit dhe ndërhyrjes kirurgjikale të cilës iu nënshtrua vitin e shkuar, duke bërë një tjetër garë të mirë në kryeqytetin serb.
Në fakt, 27-vjeçari ka bërë 5 kërcime të suksesshme, duke shkuar dëm vetëm atë të 6-ën, në përpjekje për të arritur një rezultat edhe më të mirë. Smajlaj ka patur edhe një ecuri në rritje në rezultatet e kërcimeve të tij, duke e nisur atë me 7 m e 60 cm, ndërsa në kërcimin e dytë arriti 7 m e 76 cm. Kjo ecuri u vijua edhe në kërcimin e 3-të, me 7 m e 80 cm dhe shpërtheu në kërcimin e 4-t, me 7 m e 91 cm. Ky rezultat i ka mjaftuar atletit shkodran që të sigurojë vendin e parë dhe medaljen e artë në këtë disiplinë, teksa në kërcimin e 5-të arriti 7 m e 85 cm, ndërsa të 6-tën e bëri faull. Smajlaj la prapa serbin Llazar Aniç, që pati të njëjtin rezultat 7 m e 91 cm.
Por ai pati rezultate më të dobëta në kërcimet e tjera, ndërsa i treti u rendit kroati Marko Çeko, i cili nuk shkoi dot më larg se 7 metra e 73 cm. Duhet theksuar se atleti shqiptar ka përsëritur në Beograd rezultatin e arritur në Kampionatin Ballkanik të para pak ditëve në Bullgari, ku mori medaljen e artë, duke kërcyer gjithashtu 7 m e 91 cm. Ndërkaq, edhe atleti tjetër shqiptar që mori pjesë në Mitingun e Beogradit të mërkurën, Franko Burraj, ka përsëritur rezultatin e arritur në Kampionatin Ballkanik të para pak ditëve në Bullgari, ku mori medaljen e argjendtë, duke e mbyllur në vendin e dytë edhe në garën serbe në 400 m.
Burraj ka garuar në baterinë e parë, duke mbërritur në finish me kohën 47 sekonda e 45 të qindtat. Shkodrani është kaluar vetëm në fund nga ruminu Robert Parge, i cili mbërriti në finish 6 të qindtat e sekondës më shpejt se atleti shqiptar. Në fakt, koha e Burrajt ishte më e dobët se 47 sekondat që ai regjistroi në Kampionatin Ballkanik, ndërsa është edhe më prapa rekordit që e mban vetëm ai. Dy medalje në Mitingun e Atletikës në Salla të Mbyllura “Serbian Open 2021”, të mbajtur në Beograd janë padyshim një ogur i mirë për atletikën shqiptare në këtë vit olimpik.