AlbanianSport.com 24/02/2021 21:40
ASNN – Dinamo “ka peshkuar” Skënderbeun në shortin e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë dhe, duke folur pas ceremonisë së zhvilluar në Stadiumin “Arena Kombëtare”, drejtori i bluve, Ermal Barushi ka deklaruar: “Dua një derbi me Partizanin në gjysmëfinale, ja ku do të luajmë ndaj korçarëve”. Dinamo dhe Skënderbeu, do të përballen sërish pas plot 9 vitesh në një ndeshje zyrtare.
Goglat i vunë përballë ditën e sotme këto 2 skuadra në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku skuadra kryeqytetase do të jetë pritëse. Kjo sfidë me shumë gjasa do të zhvillohet në Kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, kjo gjë u konfirmua nga administratori i bluve, Ermal Barushi, i cili në prononcimin për mediat, u shpreh: “Jemi të kënaqur që kthejmë Dinamon në këtë nivel.”
“Sidoqoftë, kjo përballje i ka munguar kampionatit dhe këtyre dyja skuadrave prej 9 vitesh, – ka vijuar ai. – Shorti mendoj që është një short i mirë. Shpresoj dhe them që me pak vështirësi mund ta kalojmë. Ne e kemi objektivin që të vazhdojmë, t’i marrim ndeshjet një e nga një, pavarësisht se jemi ekip i Kategorisë së Parë. Shpresojmë që të shkojmë në gjysmëfinale. Mendoj që shorti ishte i mirë për ne.”
“Jam shumë i kënaqur që në qoftë se do të arrinim në gjysmëfinale, të kthenim një derbi Dinamo-Partizani. Ka 9 vite që ndeshja Dinamo-Skënderbeu nuk bëhet më, unë kam qenë faktor në fushën e futbollit, mendoj që është një ndeshje interesante. Edhe ky niveli i Kupës mund të bëhet në Pezë-Helmes, në kompleksin Internacional. Në gjysmëfinale dhe finale, përcaktohet nga stadiumi tjetër”, – përfundoi Barushi.