AlbanianSport.com 24/02/2021 20:10
ASNN – “Është një luks që do të përballemi me Vllazninë, – ka deklaruar administratori Mziu, duke folur pas shortit. – Futbolli ka të papritura, mirë do ishte të ndesheshim me… Dinamon.” Natyrisht Korabi është skuadra surprizë e këtij sezoni në Kupën e Shqipërisë. Dibranët arritën të eliminonin Tiranën, teksa goglat ditën e sotme i rezervuan një përballje në fushë të ndaj Vllazninë, sfidë kjo e vlefshme për fazën çerekfinale.
Për këtë takim, foli administratori i skuadrës nga Peshkopia, Fehmi Mziu, i cili në prononcimin pas shortit, për gazetarët, u shpreh paksa i zhgënjyer, sepse kishte shpresuar për ndonjë bujari nga shorti. “Ç’është e vërteta ne po luajmë me të gjitha ekipet e elitës, – ka deklaruar zyrtari i klubit dibran. – Shorti dihej. Mirë do ishte të përballeshim me Dinamon, që luftojmë për Kategorinë Superiore, por i vlerësoj të gjitha ekipet.”
“Shorti i mirë është, – ka vijuar ai. – Futbolli ka të papriturat e veta. Ne do të luftojmë, siç luftojmë në të gjitha ndeshjet për kampionat. Do të jetë një ndeshje e luftuar nga çuna. Shpresojmë. Nuk na vjen keq për asgjë. Ne kemi luks të përballemi me Vllazninë, është djepi i futbollit shqiptarit. Shpresojmë të arrijmë atë që i kemi vënë vetes detyrë”, – ka përfunduar administratori i skuadrës nga Peshkopia, Fehmi Mziu.