AlbanianSport.com 23/02/2021 23:55
ASNN – Bajerni i Mynihut shpartallon Lacion 4-1 në Romë, Çellsi mposht 1-0 Atletikon në Madrid. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, është rikthyer të martën me ndeshjet e para të çifteve të 3-ta të turit të 16-shes, që e mbyll të mërkurën raundin e takimeve të para. Dhe e marta ka qenë dita e skuadrave udhëtuese, pasi Bajerni i Mynihut dhe Çellsi kanë korrur fitore kontrasti, por siqodoqoftë të vyera në fushë të huaj.
Në Stadiumin “Olimpiko” të Romës, kampionia në fuqi e Evropës e ka mbyllur që në pjesën e parë diskutimin në përballjen me Lacion, duke shënuar 3 herë brenda 45 minutave të para. Robert Levandovski i kalon bavarezët në epërsi pas vetëm 9 minutash lojë, ndërsa në minutën e 24-t, do të jetë Xhamal Musiala ai që do të dyfishojë epërsinë e miqve.
Tri minuta para fundit të pjesës së parë, Lëroi Sane do të përfitojë nga depërtimi dhe këmbëngulja e gjatë e Kingsli Komanit, për të shënuar golin e 3-të të Bajernit, që shkon kështu në dhomat e zhveshjeve me një epërsi të bollshme. Por menjëherë pas kthimit nga pushimi i ndeshjes, bavarezët do të gjejnë edhe një gol të 4-t, falë devijimit në portën e tij që Açerbi i bëri një pasimi nga e majta.
Goli i vetëm i Korreas, i shënuar në minutën e 49-të shërbeu si statistikë për Lacion, që ka kështu një sfidë monumentale për ndeshjen e kthimit në “Alianz Arena”. Ndërkaq, ndeshja e luajtur në kryeqytetin spanjoll, pa Çellsin t’i mjaftonte një gol i Zhirusë për të mposhtur Atletikon vendase. Të mërkurën luhen takimet e para të dy çifteve të fundit të turit të 16-shes dhe Atalanta pret Realin e Madridit, kurse Mançester Siti përballet me Borusian e Mënshengladbahut në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.