AlbanianSport.com 07.12.2014 12:20
ASNN – Pas takimit të së premtes, Kamza Basket-Flamurtari, që u fitua nga vendasit me rezultatin 83-59, të shtunën janë luajtur dy takimet e tjera të javës së 9-të të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj dhe kampionia në fuqi, Vllaznia, ka pësuar humbjen e parë të sezonit, duke u mundur 75-87 në kryeqytet nga Tirana dhe duke u detyruar t’ua dorëzojë kreun e renditjes bardheblu, edhe falë një pikëaverazhi më të dobët.
Dy rivalet për titull kanë nga 17 pikë secila dhe ndiqen në vendin e tretë nga skuadra tjetër e kryeqytetit, Partizani, që dje mundi Apoloninë me shifrat 78-62 dhe është ngjitur në kuotën e 15 pikëve. Vendin e 4-t dhe të fundit që të çon në “play-off”-in final, e mban Kamza Basket, me 13 pikë, ndërsa Flamurtari dhe Apolonia mbyllin zonën e fundit të renditjes, me përkatësisht 10 dhe 9 pikë. Në fakt, Kamza Basket duket se ia ka marrë dorën Flamurtarit.
Pasi e ka mundur të martën në Kupën e Shqipërisë, të njëjtën gjë ka bërë të premten edhe për kampionat. Një fitore e siguruar që në gjysmën e parë, kur kamzalinjtë kanë kryesuar me epërsinë 15-pikësje, në shifrat 38-23. Edhe pse vlonjatët kanë fituar pjesën e tretë, 21-24, epërsia e Kamza Basket nuk është cenuar, që kryesojnë 59-47. Dhe në fund 83-59 për vendasit dhe, njëkohësisht, një tjetër rezultat pozitiv i skuadrës së drejtuar nga trajneri Adem Muhametaj.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 9-të
(5-6 dhjetor 2014)
Të premten:
Kamza Basket – Flamurtari 83-59
Të shtunën:
Tirana – Vllaznia 87-75
Partizani – Apolonia 78-62
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 9 8 1 793-588 17
- Vllaznia 9 8 1 756-583 17
- Partizani 9 6 3 608-583 15
- Kamza Basket 9 4 5 647-566 13
- Flamurtari 9 1 8 580-735 10
6. Apolonia 9 0 9 490-819 9