AlbanianSport.com 23/02/2021 21:35
ASNN – Episodi i fyerjes së Zllatan Ibrahimoviçit mund t’i kushtojë klubit serb. UEFA ka nisur hetimet në lidhje me incidentin në Beograd në ndeshjen mes Crvena Zvezdës dhe Milanit, ku pretendohet se është fyer ylli i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç. Në faqen zyrtare në Internet, organizmi që qeveris futbollin kontinentale ka njoftuar se kanë filluar hetimet disiplinore në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen e parë të turit të 32-shes së Ligës së Evropës.
Por UEFA nuk ka sqaruar saktësisht se për çfarë po hetohet, vetëm se ka thënë se më tepër do të bëhet e ditur në kohën e duhur. Takimi midis Crvena Zvezdës dhe Milanit u mbyll në barazim 2-2, ndërsa gjatë ndeshjes është provokuar dhe ylli suedez i skuadrës italiane. Klubi nga Beogradi i ka kërkuar falje Ibrahimoviçit, duke deklaruar se do të gjenden fajtorët e do të ndëshkohen.
Ofendimet me baza racore nuk munguan, sepse, përveç episodit ku një tifoz vendas u kap me Zllatan Ibrahimoviçin, të cilin e ofendoi me shprehjen, “balija i ndyrë” (fjala balija përdoret kundër boshnjakëve etnikë myslimanë), pati edhe pankarta të shpalosura përgjatë perimetrit të fushës ku aludohej se Kosova mbetet pjesë e Serbisë.