AlbanianSport.com 23/02/2021 16:20
ASNN – “FSHF Cup”, veprimtaria më e re e Federatës Shqiptare të Futbollit për futbollin amator 9×9, ka arritur në fazën kulminante duke përcaktuar skuadrat gjysmëfinaliste, pas ndeshjeve çerekfinale që u luajtën javën e shkuar. Katër ndeshjet çerekfinale dhuruan emocione, gola dhe ndeshje të luftuara që shkuan deri te goditjet e 11-metërshave.
“Sind Al” triumfoi ndaj “Bio Ju”, 4-3 pas 11-metërshave, pas kohës së rregullt që u mbyll në barazim, pa gola. “Elso” mundi “EB Construction” me rezultatin 2-1, me dy skuadrat që kërkuan me ngulm golin dhe kualifikimin. I cili në fund i buzëqeshi Elsos që u tregua më konkrete, duke finalizuar rastet e krijuara. “ATS” kishte përballë “Lev Tech”, me ndeshjen që dhuroi 3 gola, të cilat u shënuan nga “ATS”.
“Endju Dekor” është skuadra tjetër gjysmëfinaliste pasi mundi 5-2 rivalët e “Confucius”, të cilët ishin në epërsi 2-0 pas minutave të para. “Endju Dekor” reagon dhe rikthehet në lojë pjesën e parë, për të vijuar ta përmbysë rezultatin në fraksionin e dytë të lojës, në një ndeshje që dhuroi shumë gola e adrenalinë.
Ndeshjet gjysmëfinale do te zhvillohen këtë fundjavë, me çiftin “Sind Al”-“ATS” që hapin fazën gjysmëfinale, të shtunën në orën 18:00, dhe të dielën shorti ka rezervuar përballjen “Elso”-“Endju Dekor”, po në orën 18:00. Ndeshjet zhvillohen në kompleksin “Football Republic” në kryeqytet.