AlbanianSport.com 22/02/2021 22:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve ka nisur të hënën një grumbullim 3-ditor nën drejtimin e trajnerit të ri të ekipit kuqezi, Armando Cungu. Trajneri shkodran ka ftuar 25 lojtarë, me pjesën dërmuese që vijnë për herë të parë në këtë grup-moshë, pasi në të kaluarën janë aktivizuar me ekipet e moshave të Nën-18 dhe Nën-17-vjeçarëve.
Ekipi është grumbulluar dhe ka nisur stërvitjen në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ndërsa lojtarët e ftuar janë të vitlindjeve 2002, 2003 dhe 2004. Në listë e mëposhtme ka disa emra interesantë, që aktivizohen edhe në skuadra të huaja dhe kanë qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e zbuluesve të talentëve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Për t’u përmendur janë emra si Keslin Shani (Lokomotiva e Zagrebit), Armelindo Mema (QPR – Angli), Zajsar Arapi (Kikers Ofenbah – Gjermani), Lion Cahani (Gorica – Slloveni), Fabian Shahaj (ADO Den Hagë – Holandë), Henri Hysenagolli (Leganes CD – Spanjë) apo edhe Arbër Bytyçi (Laçi). Gjatë këtij stazhi stërvitor, Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore.
Testi i parë do të luhet ditën e martë, më datë 23 shkurt 2021, duke nisur nga ora 11:00, ndaj Partizanit B, në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës. Ndërsa sfida e dytë do të jetë ndaj Kombëtares së Nën-18-vjeçarëve dhe do të zhvillohet të mërkurën, më datë 24 shkurt 2021, duke nisur nga ora 10:30, në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës.
Kjo është edhe premiera e trajnerit, Armando Cungu në stolin kuqezi, pas emërimit të tij në këtë detyrë pak javë më parë.