AlbanianSport.com 22/02/2021 17:55
ASNN – Të paktën java e fundit e Premier Ligës mund të ketësasi të kufizuar të spektatorëve. Duket si një gjest simbolik, por një gjest që prapëseprapë shpresëdhënës. Mediat britanike kanë raportuar të hënën se Premier Liga Angleze do të lejojë tifozët të kthehen këtë sezon nëpër tribunat e stadiumeve. Kryeministri britanik, Boris Xhonson, pritet të konfirmojë ditëve në vijim hapjen e stadiumeve duke nisur prej prej datës 17 maj 2021.
Stadiumet angleze janë të mbyllur prej muajit dhjetor të vitit të shkuar si pasojë e rrezikut nga epidemia e virusit korona që e çoi Britaninë e Madhe në një tjetër karantinë. Kjo nënkupton se hapja e stadiumeve do t’u mundësojë ekipeve të Premier Ligës Angleze që, të paktën, javën e fundit të këtij edicioni ta luajnë në praninë e tifozëve, pasi pritet që të lejohen deri në 10 mijë tifozë në tribuna apo 25 % e kapacitet të stadiumit.
Javën e shkuar u raportua se Federata Angleze e Futbollit ia kishte bërë të qartë UEFA-s se shpresonte që të kishte rreth 27,000 tifozë në Stadiumin “Uembli” gjatë Evropianit të verës. Stadiumin Kombëtar i Anglisë do të presë 7 ndeshje të këtij Evropiani gjatë qershorit dhe korrikut, përfshi edhe përballjen Angli-Skoci, por edhe finalen e madhe. Por rikthimi gradual apo i plotë i tifozëve nëpër stadiumet angleze do të varet nga ecuria e epidemisë së virusit “Covid-19” dhe programi i vaksinimit në Britaninë e Madhe.