AlbanianSport.com 20/02/2021 22:25
ASNN – Izmir Smajlaj është shpallur kampion i Ballkanit, pasi ka marrën vendin e parë në kërcim së gjati, me 7 m e 91 cm. Kështu, kemi një “kampion Ballkani” dhe një “nënkampion Ballkani”. Kjo është paraqitja e atletikës shqiptare në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura në Stamboll.
Izmir Smajlaj ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në kërcim së gjati duke u rikonfirmuar si fuqi e madhe në Ballkan. 7 m e 91 cm ishte rezultati që i dha Smajlajt medaljen e artë, ndërsa vetëm me një centimetër më shumë ka arritur të dalë përpara rumunit Gabriel Bitan, i cili e ka mbyllur garën 7 m e 90 cm.
Në 6 kërcime Smajlaj bëri dy faulla, kurse rezultatet e e kërcimeve të tjera të sakta i kishte 7.84, 7.65 dhe 7.83, shto këtu edhe atë 7 m e 91 cm, që i dha medaljen e artë. Ndërkohë, me 47”00 sekonda, Franko Burraj ka zënë vendin e dytë në 400 metra dhe ka merituar medaljen e argjendtë.
Përgjithësisht një paraqitje e mirë për atletikën shqiptare, kurse Smajlaj dhe Burraj janë garanci pse jo për medalje dhe në Kampionatin Evropian të Sallave të Mbyllura, që mbahet në Torun të Polonisë, nga data 4, deri më 7 mars 2021.