AlbanianSport.com 07.12.2014 10:05
ASNN – Fitoret e fundit të Partizanit i kanë dhënë një besim më të madh në vetvete, pas asaj periudhe të vështirë psikologjike në fillim, e situata duket më e qetë, mbi të gjitha për portierin Alban Hoxha. Ndarja nga e jeta e bashkëshortes së tij ka shokuar të gjithë mjedisin e futbollit shqiptar.
Sidoqoftë, Albani ka ende në duar mrekullinë e çiftit Hoxha, djalin e porsalindur, i cili dy ditë më parë u bë njëmuajsh, dhe që është sigurisht një arsye edhe më të fortë për të, për të besuar se jeta vazhdon tashmë madje me një përgjegjësi edhe më të madhe, atë të një babai.
“Kam djalin dhe me të merrem gjatë gjithë ditës, mundohem të qetësohem, – ka rrëfyer ai, duke folur për “Top Channel”. – Megjithatë, stafi, tifozët dhe presidenti Demi familjarisht më kanë qëndruar shumë pranë. Sot është bërë njëmuajshe, është si fëmijët e tjerë.”
“Grindet pak në shtëpi, por mundohem ta mbaj sa më afër dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme, ishte hera e parë që e provoja, por është njëkohësisht më e madhja, – ka vijuar ai. – Mezi pres që të shkoj në shtëpi ta shoh sërish. Emri Beko është ka qenë i babait tim që nuk jeton më, dhe ishte një emër që ishte menduar shumë vite më parë.”