AlbanianSport.com 19/02/2021 18:40
ASNN – Ish-futbollisti i njohur shkodran bën analizën e kuqebluve dhe shprehet optimist për suksesin. Vllaznia e futbollit po kryeson bindshëm renditjen e Kategorisë Superiore dhe kjo ka sjellë optimizëm edhe në radhët e figurave të shquara të saj, teksa Ferid Borshi e ka vlerësuar mjaft ecurinë e deritanishme. “Është e vërtetë që skuadra deri tani ka treguar stabilitet, – ka thënë ai. – Gjendja ka qënë e mirë dhe këtë e tregojnë edhe pikët, apo renditja. Sigurisht që ka pasur edhe luhatje, por këto janë të kuptueshme në futboll.
“Nuk mund të kalosh një periudhë kaq të gjatë pa këto luhatje”, – shton ish-futbollisti i njohur i viteve 1970-1980, i cili, duke folur për RTSH Sport, vlerëson frymën e grupit dhe punën e trajnerit. “Mendoj që është punuar mirë, ekipi ka punuar në grup, – thotë veterani. – Këtu duket edhe dora e trajnerit, i cili ka bërë një punë mjaft të mirë me ekipin. Duket qartë bashkëpunimi mes lojtarëve. Skuadra është e dubluar, lojtarë ka shumë, kështu që edhe konkurrenca është mjaft e fortë”. Për Borshin, luhatja në rezultate gjatë javëve të fundit nuk përbën arsye për t’u shqetësuar.
“Nuk mund të kalojë i gjithë kampionati në të njëjtin ritëm, ekipi ka uljet e ngritjet e veta, – thekson ai. – Skuadra deri tani është paraqitur mirë, por ka patur dhe ndeshje të vështira. Kanë qënë disa ndeshje jashtë shumë të vështira, siç ishte ajo me Bylisin. Gjithashtu, më ka befasuar ndeshja me Apoloninë, një skuadër mjaft e përgatitur në të gjitha repartet, që lozte një futboll të bukur. Vllaznia u paraqit më dobët se në ndeshjet e tjera, por për fatin tonë të mirë arriti ta fitojë. Sigurisht që futbolli, në mes të tjerave ka edhe fatin.”
“Pra, mund të luash mirë por nuk mund të marrësh rezultat, kështu që çdo gjë është e kuptueshme”, – shton Borshi. Vllaznia përballet të dielën me Skënderbeun dhe ish-lojtarin kuqeblu nuk e shqetësojnë mungesat, teksa thotë: “E thashë edhe më parë që skuadra është e dubluar. Skënderbeu luan me lojtarë të rinj, në ansjë moment nuk duhet nënvlerësuar. Nëse Vllaznia do shkojë atje me mendimin për të luajtur futboll dhe për të marrë tri pikët, mendoj se do ia arrijë qëllimit.” Për futbollistin që e ka shijuar edhe titullin “kampion” me shkodranët, ka ardhur koha për një tjetër titull.
“Sigurisht që presioni është i madh, por edhe Vllaznia është një emër i madh, e ndjekin dy skuadra mjaft të forta siç është Partizani edhe Laçi. Mendoj se Vllaznia do ia dalë mbanë, kemi 20 vite që nuk fitojmë, prandaj mendoj se ekipi, trajneri dhe stafi do e gëzojnë kësaj here Shkodrën me një titull “kampion””, – ka përfunduar ish-futbollisti i njohur shkodran, Ferid Borshi.