AlbanianSport.com 16/02/2021 22:25
ASNN – Pas afro dy muajsh, Policia ndalon 30-vjeçarin që goditi anësorin Pulaj. Njeriu që me gjestin e tij i kushtoi skuadrës së qytetit të tij, Delvinës, ndëshkimin me luajtjen në fushë asnjanëse të gjithë pjesës së mbetur të sezonit të Kategorisë së Dytë, ka rënë më në fund në pranga.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. H., 30 vjeç, banues në Delvinë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, gjyqtarit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në datën 19.12.2020, gjatë ndeshjes së futbollit, Delvina-Albpetrol, të zhvilluar në stadiumin “Panajot Pano” në Delvinë, ka goditur me gurë, në drejtim të njërit prej ndihmësve të gjyqtarit kryesor të takimit. Si pasojë gjyqtari anësor, Elvis Pulaj, është dëmtuar në kokë dhe është transportuar në Spitalin e Sarandës, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale. Për këtë veprim të tij, Komisioni i Disiplinës “syrgjynos” pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i ka kushtuar Delvinës humbjen në tavolinë dhe gjithë sezonin larg “shtëpisë”, pasi ndeshjet e mbetura të sezonit 2020-2021 të Grupi B të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar Kombëtar të Futbollit do t’i luajë në fushë asnjanëse.