AlbanianSport.com 15/02/2021 19:55
ASNN – Luhet në mesjavë duelet e para të 4 çifteve, spikat Barcelona-Paris SG. Pasi ka mbyllur në fund të vitit të shkuar fazën e grupeve, veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, rikthehet në mesjavë me fazën e ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë. Të martën dhe të mërkurën luajnë ndeshjet e para 4 çiftet e para të turit të 16-shes, që, ndryshe nga sezonin e shkuar, do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.
Natyrisht, spikat përballja e “Kamp Nout” midis Barcelonës dhe Paris SG-së, e etiketuar ndryshe si dueli Mesi kundër Nejmarit. Në fakt, parizienët rikthehen në arenën e makthit të tyre në 2017-ën, kur Barcelona përmbysi një humbja 0-4, duke fituar 6-1, në atë që ka marrë emërtimin “La Remontada”. Një nga frymëzuesit e asaj përmbysjeje për katalanët, Nejmari, i cili tani luan për Paris SG-në, do të mungojë në këtë përballje, që do të jetë e para në Ligën e Kampioneve edhe për trajnerin Mauricio Poçetino, një ish-i Espanjolit.
Në duelin tjetër të së martës, Lajpcigu sfidon kampionen e para dy sezoneve në Evropë, Liverpulin, në një duel që është ndikuar nga kufizimet e udhëtimit për shkak të “Covid-19” në Gjermani dhe, që, për këtë arsye, do të zhvillohet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest. Kampionia e Anglisë vjen në këtë duel në momentin më të keq të mundshëm, teksa ka pësuar 3 humbje radhazi në kampionat, aty ku shpresat për mbrojtjen e titullit po avullojnë.
Ndërkaq, edhe Lajpcigu duket i dorëzuar në betejën për të arritur kryesuesen e Bundesligës, Bajernin e Mynihut, por ka konsoliduar vendin e dytë në renditje, çka nënkupton një vend në Ligën e Kampioneve të Evropës edhe sezonin e ardhshëm. Megjithatë, gjermanët kanë treguar se janë të aftë të dhurojnë të papritura dhe do ta synojnë këtë përballë një Liverpuli që ka patur luhatje edhe në paraqitjet e saj në Evropë.
Liga e Kampioneve
Turi i 16-shes
Të martën, 16 shkurt 2021:
(21:00) Barcelona – Paris SG
(21:00) Lajpcig – Liverpul
Të mërkurën, 17 shkurt 2021:
(21:00) Porto – Juventus
(21:00) Sevilja – Borusia Dortmund