AlbanianSport.com 15/02/2021 18:40
ASNN – Surpriza e radhës në Turneun e Hapur të Australisë në tenis, “Australian Open”, ka qenë eliminimi i Dominik Timit. Ka qenë Grigor Dimitrov që ka fituar ndaj austriakut 3-0, në një ndeshje të dominuar tërësisht nga tenisti bullgar. Për femra kalojnë në çerekfinale Osaka dhe Uilliamsi. Kështu, e djela ka nisur me shumë surpriza në “Australian Open”.
Fillimisht kualifikohet për në çerekfinale rusi Alsan Karacev, numri 114 në renditjen botërore, i cili kurrë nuk kishte luajtur një turne madhor, të njohur ndryshe si “Grend Slem”. Ai eliminoi Aliasime, e më parë numrin 8 në botë, Diego Shuortzman. Më pas i vjen radha Grigor Dimitrovit, sa i paparashikueshëm aq edhe i rrezikshëm. Ai eliminoi një nga favoritët e mëdhenj, finalistin e vitit të kaluar, Dominik Tim.
Tenisti bullgar, dy vite më parë mundi Rozher Federer në Turneun e Hapur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “US Open”. Dimitrov fitoi me lehtësi të mahnitshme 3-0, (6-4, 6-4 dhe 6-0) në dy orë dhe një minutë lojë, ndërsa austriaku, numri 3 i botës, i cili ishte çuditërisht i pavëmendshëm. Tepër të vështirë e ka patur kualifikimin për në tej në “Australian Open” edhe Naomi Osaka.
Ajo arrin të fitojë një ndeshje tepër të luftuar nga fillimi deri në fund, ndaj Garbinje Muguruza, ndeshje e cila zgjati gati 2 orë. Në çerekfinale, fituesja e “Australian Open 2019” do të përballet me Su-Uein. Kjo e fundit ka eliminuar Marketa Vondrusovën, numrin 20 në renditjen botërore për femra. Turin e ka kaluar edhe Serena Uilliams, numri 11 në botë.
Amerikania ka mundur 2-1 me sete Arina Sabalenkën, 6-4, 2-6, 6-4, pas 2 orë e 11 minuta lojë.