AlbanianSport.com 14/02/2021 15:15
ASNN – Në fakt, e kishte paralajmëruar, ndonëse e kishte mundësinë të zgjidhte. Dhe Joan Miri ka një dëshirë të veçantë, pasi ai ka vendosur të garojë ende me numrin “36” në motorin e tij. Kampioni në fuqi i botës, nuk do të vendosë numrin “1”, që në fakt i takon, në “Suzuki”-n e tij, me të cilin fitoi titullin “kampion bote” në Moto GP sezonin e kaluar.
Piloti spanjoll, i bashkohet kështu edhe pilotëve të tjerë, që mbartin mbi supe shumë tituj “kampion bote” në Moto GP. Kështu, Valentino Rosi me 9 tituj kampion bote, vazhdon të mbajë numrin “46” në motorin e tij, me të gjitha skuadrat që ka garuar. Edhe Mark Markezi, me 8 tituj të fituar, mban numrin “93” në motor. Dhe kështu ka vendosur të bërë edhe piloti tjetër spanjoll, që garon për skuadrën japoneze.
Zgjedhjen e tij, Joan Mir ka shpjeguar për të gjithë tifozët, në faqen e tij në Internet, duke thënë: “Me nr. 36 në motor, kam fituar dy Botërorë. Puna ime nuk ka mbaruar ende. Dua të fitoj sërish. Shpresoj të kem mundësi të tjera për të fituar me këto dy numra të sigluar në motorin tim”, – ka shkruar piloti spanjoll. Në fakt, zgjedhja e numrit është edhe çështje marketingu, pasi ai është shndërruar në markë për pilotët.