AlbanianSport.com 13/02/2021 17:55
ASNN – Takimi Vllaznia-Apolonia, i vlefshëm për javën e 19-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që është edhe java e parë e fazës së 3-të, do të luhet të shtunën në Stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 14:00. Para ndeshjes me Apoloninë, në konferencën e zakonshme për shtyp, krahas trajnerit Tomas Brdariç, ka dalë para gazetarëve edhe futbollisti Arsid Kruja.
Ai ka shprehur bindjen se të shtunën, Vllaznia do të tregojë vlerat e saj dhe do të marrë rezultatin e duhur, fitoren. “Nesër duhet fitore? Normalisht që jo vetëm ne, por i gjithë qyteti, gjithë Shkodra kërkon fitoren për të arritur te objektivi dhe besoj se do ja dalim që të fitojmë nesër”, – është përgjigjur ai.
Por, a është Apolonia një kundërshtar i lehtë? “Nuk mund të them se është kundërshtar i lehtë, pasi duhet një vlerësim maksimal për këdo skuadër, – ka këmbëngulur mesfushori i kuqebluve. – Ndaj secilit kundërshtar ne japim maksimumin dhe duhet të marrim pikët e plota.” Në vijim, 27-vjeçari ka komentuar edhe gjendjen e skuadrës pas 3 ndeshjeve pa fitore.
“Humbja me Laçin nuk ishte një rezultat që e prisnim, por ne kemi treguar që dimë të ringrihemi dhe do tentojmë ta kalojmë nesër me fitore”, – ka theksuar ai. Futbollisti shkodran kaluar një shqetësim fizik, por si është gjendja e tij? “Nuk mund ta quaj dëmtim, sepse nuk ishte fizik. Kam kaluar një gjendje gripale dhe tani jam shumë mirë dhe kërkoj të bëj maksimumin”, – ka përfunduar lojtari i Vllaznisë, Arsid Kruja.