AlbanianSport.com 13/02/2021 14:10
ASNN – Fernando Alonso është operuar, pas aksidentit që pati me biçikletë. Mjekët janë optimistë se piloti spanjoll do të dalë shumë shpejt nga spitali. Pas këtij operacioni, Alonso nuk rrezikon aspak pjesëmarrjen në garën e parë të Botërorit të Formula 1 më 28 mars 2021. Dalin të dhëna të reja për situatën e Fernando Alonsos pas aksidentit që pësoi të enjten në Lugano, në Zvicër, teksa ishte duke u stërvitur me biçikletë.
Sipas raportit mjekësor të lëshuar nga skuadra e tij “Alpine Renault”, piloti spanjoll është operuar me sukses, për shkak të një frakture në kockë dhe në 48 orët e ardhshme do të jetë nën vëzhgimin e mjekëve. “Mjekët zbuluan një frakturë dhe kryen një operacion korrigjues të suksesshëm. Ata janë të kënaqur me progresin”, – thotë ekipi francez i mjekëve.
Sipas burimeve pranë pilotit, ai flet pa vështirësi dhe është në humor të mirë. Frakturat në gjymtyrë dhe në trup përjashtohen. Aksidenti ndodhi të enjten, pak pas orës 13:00. Një makinë kaloi pranë tij, Fernando frenoi me biçikletën e tij dhe mori një goditje të rëndë në fytyrë. Piloti spanjoll u kurua fillimisht në Lugano, para se të transferohej në Bernë.
Në nivelin sportiv, Alpine thekson se pjesëmarrja e Alonsos në testet e parasezonit të Sakhir, nga 12 deri më 14 mars 2021, nuk është në rrezik. Ashtu sikundër nuk kompromentohet as kthimi i tij zyrtar në garë me “Alpine Renault” në Çmimin e Madh të Bahreinit, që do të zhvillohet më 28 mars dhe do të ngrejë siparin e sezonit të ri të Formulës 1.