AlbanianSport.com 13/02/2021 13:25
ASNN – Është duke bërë një kampionat të shkëlqyer me Vllazninë e tij, Thomas Brdariç në një intervistë të botuar nga seksion sportiv i prestigjiozes gjermane “Bild” (“SportBILD”), ai ka rrëfyer për gjithçka, për Vllazninë të cilën e cilson si Bajernin e Mynihut, për Shkodrën, tifozët shqiptarë, djalin e tij, ku dhe citon se jeton në një apartament pranë qendrës së Shkodrës dhe deklaron dëshirat e tij:
“Jam krenar dhe i befasuar nga euforia që rrethon ekipin tonë këtu në Shkodër, – ka thënë ai për të përditshmen gjermane në fjalë. – Ne zgjuam një qytet të tërë. Por është mënyrë e vështirë për ta mbajtur këtë gjendje deri në fund të sezonit. Nëse kemi sukses, do të ishte një çmenduri e pastër. Ne jemi figura e kampionatit për momentin, jemi duke u sulmuar si Bajerni në Gjermani.”
I pyetur për krahasimin e tifozëve shqiptarë me ata gjermanë, ai është përgjigjur: “Të ndryshëm. Një shembull, kur për herë të fundit fituam 1-0 ndaj Bylisit në Ballsh, tifozët na përshëndetën me 500 makina brenda qytetit dhe na shoqëruan përmes Shkodrës në stadium me brohoritje. Unë kurrë nuk kam provuar diçka të tillë, ishte e jashtëzakonshme.”
“Isha gati pak i parehatshëm sepse ende nuk kemi arritur asgjë, – ka vijuar trajneri i Vllaznisë. – Nga ana tjetër, unë jam i lumtur për momentin me njerëzit, veçanërisht tani në kohë të vështira të pandemisë. Ne përpiqemi t’u kthejmë atyre një pjesë të gëzimit, shpresës dhe entuziazmit.” Tomas Brdariç ka folur edhe për frymëzimin si trajner.
“Unë kam zhvilluar stilin tim, por jam gjithmonë i hapur për përmirësim, – ka rrëfyer ai. – Si profesionist i Bundesligës, kisha mësues të shquar si Ralf Ragnik në Hanover dhe Kristof Dom në Leverkusen. Aktualisht jam duke studiuar lojërat e Jurgen Klop të Liverpulit dhe Pep Guardiola të Mançester Sitit, ato më frymëzojnë. Unë gjithashtu do të doja të shikoja nga pranë të dy sesi stërvisin.”
“Lojtarët padyshim ndihen rehat me Klopin dhe Guardiolan. Dhe ata mund të arrijnë performancën e tyre maksimale vetëm nëse kanë një marrëdhënie të përsosur me trajnerin”, – ka përfunduar Thomas Brdariç në një intervistë të botuar nga seksion sportiv i prestigjiozes gjermane “Bild” (“SportBILD”).