AlbanianSport.com 13/02/2021 12:40
ASNN – Trajneri i gjigandes gjermane flet pas triumfit në Botërorin e Klubeve në Katar. Bajerni i Mynihut ka mposhtur me një gol të vetëm meksikanët e Tigresit në finalen e Botërorit të Klubeve në futboll. Gjigandja bavareze u bë kështu skuadra e dytë, pas Barcelonës në 2009-ën, që arrin t’i fitojë të 6 trofetë e mundshëm, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, brenda një sezoni. Dhe trajneri Hansi Flik ka falënderuar ekipin për këtë arritje.
Bajerni i Mynihut nuk ka gabuar të enjten, duke fituar me rezultatin 1-0 ndaj kampiones së Konfederatës së Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibeve (CONCAF), Tigresit, duke u bërë kështu skuadra e dytë, pas Barcelonës në 2009-ën, që i fiton të 6 trofetë e mundshëm, kombëtarë dhe ndërkombëtarë brenda një sezoni. Dhe trajneri i bavarezëve, Hansi Flik, ka shkruar kështu emrin e tij në këtë piedestal të veçantë krahas Pep Guardiolës, por ai nxiton të falënderojë skuadrën për këtë arritje.
“Para së gjitha, përgëzime për skuadrën time, sepse ka arritur diçka historike, siç janë 6 trofe brenda një sezoni, – ka thënë trajneri gjerman. – Janë të pakta skuadrat që e kanë arritur këtë, mesa di unë, vetëm Barcelona, dhe tanimë edhe Bajerni, në sezonin më të mirë që kanë zhvilluar. Dhe, nëse marrim parasysh udhëtimin dhe faktin që këto ditët e fundit kanë qenë të lodhshme për ne, pra, pavarësisht gjithë kësaj, skuadra luajti veçanërisht mirë, e mbizotëroi takimin dhe e merituam fitoren në finale.”
Festa e gjermanëve do të zgjasë pak, pasi fillimi i javës do ta kthejë skuadrën në ciklin normal. “Skuadra ka treguar një dëshirë të padiskutueshme për të arritur suksesin, çka unë mendoj se është me të vërtetë mbresëlënëse dhe për këtë arsye, kjo është një skuadër e shkëlqyer dhe se pse ky ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për ne, për Bajernin e Mynihut”, – ka theksuar Fliku.
“Tanimë do të marrim avionin për t’u kthyer në shtëpi dhe për ta shijuar ca, – ka vijuar ai. – Do t’i jap skuadrës dy ditë pushim dhe të dielën do të kthehemi për të nisur përgatitjet për ndeshjen e Bundesligës ndaj Arminias së Bielefeldit dhe të hënën rikthehemi në normalitet.” Në finalen e fituar ndaj meksikanëve të Tigresit, me një gol të vetëm të Pavardit, mungoi Tomas Myleri, pasi sulmuesi rezultoi pozitiv për “Covid-19” dhe është karantinuar.
“Tomas Myler është paksa i lodhur, por kjo është normale kur ke atë lloj diagnoze, sepse edhe je i shqetësuar, – ka sqaruar trajneri. – Sidoqoftë, ai ndjehet shumë mirë dhe tanimë do të shohim se sa shpejt ai do të jetë në gjendje të kthehet.” Botërori i Klubeve në futboll ishte një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që i solli drejtpërdrdrejt të gjitha ndeshjet e tij.