AlbanianSport.com 31/01/2021 19:25
ASNN – Kuqezinjtë e futbollit të sallës e humbin edhe takimin e dytë që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Shqipëria e futbollit të sallës ka pësuar të dielën humbjen e dytë në po aq ndeshje të grupit të saj në fazën e dytë dhe të fundit të Eliminatoreve të Evropianit 2022, teksa është mundur 3-10 përballë Ukrainës.
Në fakt, takimi i luajtur në mbrëmje në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka qenë një tablo e njëjtë me atë të ndeshjes së parë, të humbur 1-4 para pak ditësh në Varazhdin, me kuqezinjtë që premtojnë në fillimin e takimit, por me kundërshtarët që bëjnë dallimin me përvojën në nivele të tilla.
Ndonëse Ukraina shënon dy herë në 5 minutat e para dhe më pas në minutën e 13-të, Kombëtarja shqiptare shkurton fillimisht rezultatin në 1-2 dhe pastaj në 2-3 brenda çerekores së parë, duke dhënë shpresë për të mbetur në lojë. Por vetëm kaq, sepse miqtë gjejnë edhe 3 herë rrugën e rrjetës pa përgjigje dhe mbyllin pjesën e parë me shifrat 5-2.
Pjesa e dytë do të sjellë edhe 5 gola të tjerë për ukrainasit, që e bëjnë golin e vetëm kuqezi, të realizuar nga Rei Karaja, një statistikë. Kështu Ukraina mposht Shqipërinë 10-3 dhe kuqezinjtë mbyllin fundin e renditjes së grupit të parë eliminator, ndërsa më 3 mars 2021 presin në Tiranë Danimarkën, që gjithashtu nuk ka marrë pikë deri më tani.