AlbanianSport.com 31/01/2021 17:10
ASNN – Trajneri elbasanas dhe klubi korçar kanë mbyllur bashkëpunimin disamujor. Humbja 0-4 në shtëpi me Kukësin të shtunën ishte goditja e fundit dhe Julian Ahmataj largohet nga drejtimi i Skënderbeut. Kjo është konfirmuar zyrtarisht nga klubi korçar nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale, ku sqarohet se bashkëpunimi me trajnerin elbasanas është mbyllur me mirëkuptim.
Ishte thjesht çështje kohe, teksa me vetëm 2 fitore, 5 barazime dhe 9 humbje në këto 17 javë të deritashme, me 18 gola të shënuar dhe plot 36 të pësuar, më shumë se çdo skuadër tjetër në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, skuadra e tij kishte rrëshqitur në vendin e fundit të renditjes, duke u shndërruar në kandidaten e parë për të rënë nga Kategoria Superiore sezonin e ardhshëm.
Humbja 0-4 në shtëpi me Kukësin të shtunën ishte goditja e fundit, edhe pse vetë Julian Ahmataj këmbëngulte në vazhdimin e punës së tij. Por vetëm 24 orë më pas, gjithçka ka ndryshuar, teksa është mësuar se trajnerin elbasanas largohet nga drejtimi i Skënderbeut. Kjo është konfirmuar zyrtarisht nga klubi korçar nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale.
“KF Skënderbeu dhe Ahmataj mbyllin me mirëkuptim bashkëpunimin”, – thuhet në njoftimin e klubit juglindor, që më tej vijon: “Ju njoftojmë se pas një bisede mes palëve, Klubi i Futbollit “Skënderbeu” dhe Julian Ahmataj kanë mbyllur marrëveshjen e bashkëpunimit me mirëkuptim. KF Skënderbeu falënderon ish-trajnerin bardhekuq për përkushtimin dhe punën e mirë të zhvilluar gjatë kohës që ishte në drejtimin e ekipit dhe i uron Ahmataj shumë suksese dhe fat në të ardhmen!”.
Ndërkaq, në klubin korçar ende nuk ka një emër tjetër për të zëvendësuar Ahmatajn, por gjithçka pritet të qartësohet në orët në vijim.