AlbanianSport.com 30/01/2021 22:25
ASNN – Elsidita Selaj ka 5 vite që merret me boks, duke “i grushtuar” të gjitha paragjykimet. Gjatë kësaj kohe ka fituar medalje ndërkombëtare, por aktualisht, boksierja shqiptare, 20-vjeçare, po përgatitet për Lojërat Olimpike të Tokios. Në moshën 15 vjeç, Elsidita Selaj vendosi se donte të ushtronte sportin e boksit. Vetëm në sajë të kokëfortësisë së saj, ajo ka arritur të mposhtë rezistencën e familjes së saj dhe paragjykimet, për t’u bërë boksierja e parë, dhe e vetme, deri më tani, konkurruese e Shqipërisë.
Historia e saj, ka tërhequr vëmendjen e Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), që ka vendosur ta publikojë atë. “Në fillim për mua, boksi ishte një dashuri e pamundur, që nuk mund ta imagjinoja kurrë, – ka rrëfyer ajo për median në fjalë. – Por tani duke u ballafaquar me rezultatet, me vullnetin tim për të vazhduar, mendoj se sot boksi është një dashuri e mundshme që më takon tërësisht mua. Fillimisht familja ishte kundër dëshirës time për t’u bërë boksiere. Prindërit e mi ishin shumë të frikësuar, por ishte dashuria ime e madhe për boksin që i bindi ata pak nga pak.
“Dhe tani që ia kam arritur, ata janë shumë krenarë dhe plotësisht të sigurt”, – shton boksierja. Tepër të vështirë e ka patur edhe Jetmir Kuçi, trajner i saj, për të marrë përsipër trajnimin e vajzës së vogël. “Unë isha pak tradicional, ishte shumë e vështirë të pranoja të stërvisja Elsiditën, duke menduar për gjykimet e njerëzve të qytetit ku jetojmë, – rrëfen ai. – Por me vendosmërinë e saj, ajo arriti të thyejë një tabu për të gjithë ne.” I vetëdijshëm për sukseset e vajzës së tij, babai i Elsiditës, Luan Selaj shprehet: “Unë jam gati të sakrifikoj, të punoj ditë e natë në mënyrë që vajza ime të jetë një ditë “kampione bote” për mua dhe të gjithë shqiptarët”.
Prej 5 vitesh, Selaj dhe trajneri i saj Kuçi, kalojnë orë të tëra në stërvitje në palestër duke ushtruar boksin. Gjatë stërvitjes së saj, trajneri Kuçi ka vendosur të përfshijë edhe një boksier, 16-vjeçar. Ertan Kraja, bokson me Elsiditën gjatë seancave stërvitore. Ai tregon se Elsidita është një boksiere shumë e fortë. “Në fillim kisha frikë të luftoja me një vajzë, – pohon ai. – Kisha frikë ta godisja shumë fort, por pasi pashë forcën e Elsiditës, stërvitjen e saj, u mësova, është si të luftosh me një djalë.”
Deri tani Elsidita Selaj, ka marrë medaljen e bronztë në një turne ndërkombëtar 2017 në Ballkan. Ajo ka fituar gjithashtu edhe mealjen e argjendtë dhe të bronztë në Kampionatin Evropian të Boksit Amator, përkatësisht në 2018-në dhe në 2019-ën. Tashmë 20-vjeçe, synimet e saj tani Lojërat Olimpike në Tokio, por do të duhet të kapërcejë një raund të vështirë kualifikues në pranverë, për të mos përmendur pengesën financiare të shpenzimeve të tjera të përfshira. Selaj është boksierja e parë dhe e vetme e licencuar në Shqipëri.