AlbanianSport.com 06.12.2014 22:05
ASNN – Në kampin e Tiranës, lajmi i rikthimit të tifozerisë bardheblu, edhe pse ndoshta vetëm për këtë ndeshje për të vazhduar më pas dënimin, ka rikthyer entuziazmin e zbehur pas barazimit me Laçin. Bardheblutë kanë gjithashtu të gjithë skuadrën në dispozicion për këtë ndeshje, ndaj dhe atmosfera pozitive e grupit është e dukshme. Përpara se të ishte trajner i Tiranës, Magani ka shijuar atmosferën e derbit të kryeqytetit si lojtar i Partizanit, por në këtë rol përballimi i emocioneve është i ndryshëm.
“E vetmja gjë e veçantë është që këtu punojmë vetëm taktikisht, duke mos punuar fare sa i përket mobilizimit të skuadrës apo për të rritur adrenalinën që lojtarët të japin gjithçka në fushën e lojës, – deklaroi trajneri i Tiranës, Gugash Magani, gjatë një prononcimi për shtyp dhënë sot në prag të stërvitjes në Kompleksin Sportiv “Skënder Halili në kryeqytet. – Derbi e ka vetë brenda karikimin. Të dyja skuadrat janë rivale të përjetshme, por kuptohet në luftën sportive.”
Gjithsesi, ajo që i ka mbetur peng Maganit mbetet goli i Nexhipit, në derbin e parafundit në kohën shtesë, pasi sipas tij, “në atë ndeshje edhe Zoti ishte me Partizanin”. “Në këto momente unë jam në pankinë dhe derbi përjetohet ndryshe nga këtu, – ka rrëfyer peqinasi i pankinës kryeqytetase. – Në fushë, gjithë emocionet e përpara ndeshjes nxirren duke vrapuar dhe duke marrë instruksionet e fundit, ndërsa në pankinë është krejt tjetër, duhet të lexosh sfidën dhe të marrësh vendimet e tua për të marrë nga skuadra më të mirën e saj.”
“Tek derbi i fundit i kam thënë lojtarëve të mi që të vonin lojën se edhe 1 minutë lojë kishte. Ajo gjë nuk ndodhi, sepse edhe Zoti ishte me Partizanin atëherë. Sa i përket kundërshtarit, mund të them se e vlerësojmë, por nuk jemi aspak inferiorë ndaj tyre. Ndaj do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen”, – përfundoi trajneri i Tiranës, Gugash Magani.