AlbanianSport.com 30/01/2021 20:10
ASNN – Ka përfunduar me sukses kursi i formimit të fizioterapistëve “Human Tecar”, i zhvilluar nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kursit, që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, i janë përgjigjur rreth 50 fizioterapistë, të cilët janë pjesë e ekipeve kombëtare, e ekipeve të kampionatit të Kategorisë Superiore, si dhe pjesë e sektorëve të tjerë si spitalor, universitar, profesionistë të lirë, etj.
Ky kurs u mbajt nga data 25, deri më 28 janar, ku lektorë ishin Xhanluka Stesina, i cili është Drejtues i Departamentit të Mjekësisë Sportive pranë FSHF-së, Ilvi Begolli, koordinator i departamentit të mjekësisë sportive, Arzen Voci, fizioterapist i Kombëtares A të futbollit, si dhe specialisti italian i “Tecarterapia”, Françesko Fasino. Qëllimi i këtij kursi ishte që fizioterapistët e rinj të njiheshin me trajtimin e patologjive muskulare nëpërmjet trajtimit me tecarterapi dhe përdorimin e saj kryesisht në fushën sportive.
Por jo vetëm kaq, por edhe diagnostikimi i problemeve muskulo-tendinoze si dhe përcaktimi i protokolleve të reja në trajtimin e patologjive me natyrë traumatike të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë më sportin. Kursi ishte i ndarë në dy pjesë, në pjesën teorike në fillim dhe, më pas, në pjesën praktike. Në përfundim të kursit, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikatë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe “Human Tecar Italia”.