AlbanianSport.com 28/01/2021 22:25
ASNN – Më në fund, “makthi” ka marrë fund… Mëngjesin e së enjtes ka përfunduar karantina për të gjithë pjesëmarrësit në Turneun e Hapur të Australisë në tenis, “Australian Open 2021”. Tenistët kanë nisur kështu përgatitjet normalisht, për të konkurruar në turneun e parë madhor, të njohur ndryshe si “Grend Slem”, të sezonit. Dhe, deri në nisjen e “Australian Open” më 8 shkurt 2021, të gjithë po mësojnë më shumë hollësi se si do të zhvillohet “Grend Slem”-i i parë i sezonit në Melbërn, përballë kërcënimit të epidemisë.
Një detaj i ri është se do të ketë një numër rekord djemsh dhe vajzash që grumbullojnë topat në fushë. Do të jenë 380 adoleshentë, të moshës nga 12-17, kur vitin e kaluar ishin të moshës, 12-15 vjeç. Këta duhet të përshtaten me situatën aktuale për të shmangur infeksionet e mundshme. Djemtë dhe vajzat që do të shpërndajnë topat tek lojtarët, duhet të presin që si ata edhe tenistët të pastrojnë duart me dezinfektantë, sa herë që të jetë e mundur.
Ata nuk do të mbajnë maska gjatë ndeshjeve, por ata nuk do të lejohen të marrin peshqirë ose shishe nga lojtarët e tenisit, siç ka ndodhur më parë. Ndërsa karantina ka përfunduar mëngjesin e të enjtes, për të gjithë tenistët dhe stafet e tyre, gjithsej 960 persona, të cilët mbërritën në Melbërn më 14 janar 2021. Ata janë lajmëruar të largohen nga dhomat e hotelit. Por jo të gjithë kanë qenë në gjendje të largohen menjëherë nga hotelet zyrtare.
Dhe kjo ka shkaktuar një zemërim të ri në mesin e 72 personave që janë veç të tjerëve, për shkak se kanë qenë në kontakt me një rast pozitiv të COVID-19. Ky grup i madh, të cilët nuk kanë shijuar pesë orët e lirisë për të dalë për të stërvitur, nuk do të jenë në gjendje të lënë strehimin e tyre deri në mesnatën e ditës që korrespondon me afatin e fundit të karantinës. Për këtë arsye ata do të humbin një ditë stërvitje, në përgatitje të ndeshjeve të tyre.
Ndërsa të tjerët, yje të tillë si Novak Gjokoviç, Rafael Nadal, Serena Uilliams apo Naomi Osaka kanë nisur stërvitjet normalisht në fushat e përcaktuara për ta, në përgatitje për të nisur “Grend Slem”-in e parë të vitit 2021.