AlbanianSport.com 26/01/2021 21:10
ASNN – Qendra kuqezi spikat në fitoren e Bashkimit dhe zgjidhet si më i miri i javës së 17-të. Në mungesë të hapjes së sallave dhe pallateve të sportit në Shqipëri dhe lejimit të zhvillimit të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, janë të shumtë basketbollistët e Shqipërisë që kanë kapërcyer kufirin verilindor dhe u janë bashkuar skuadrave të ndryshme të Superligës së Kosovës.
Njëri prej tyre, që po spikat me paraqitjen e tij është edhe Endrit Hysenagolli. Në fundjavë u zhvillua java e 17-të e Superligës së Kosovës në basketboll për meshkuj. Dhe, në bazë të indeksit, basketbollisti më i mirë i javës së 17-të është zgjedhur pikërisht qendra e Bashkimit dhe Kombëtares Shqiptare. Në takimin ndaj Vëllaznimit, Hysenagolli shënoi 20 pikë, fitoi 17 topa në tabelë dhe dha edhe dy pasime për kosh, ndërsa indeksin e paraqitjes e kishte 33.
Duke folur pas ndeshjes, ai e vlerësoi paraqitjen e skuadrës prizrenase. Hysenagolli u përballë me qendrën e Vëllaznimit, Emanuel Omogbo, i cili gjithashtu zhvilloi një ndeshje të mirë. Dhe kjo për basketbollistin kuqezi ndryshoi edhe planet e ndeshjes. Që nga transferimi në Bashkim, Hysenagolli ka zhvilluar ndeshje të mira, ndërsa kjo është hera e parë që shpallet “Lojtari Më i Vlefshëm” (MVP) i javës në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndërkohë, në 5-shen e më të mirëve, me indeksin më të lartë në javën e 17-të, përveç Hysenagollit dhe Omogbosë së Vëllaznimitjanë edhe Brendon Uolltër i Pejës dhe Dajën Dikson të Pejës dhe Ajsajah Trejlor i Rahovecit.