AlbanianSport.com 26/01/2021 20:00
ASNN – Mirel Josa është zyrtarizuar të martën si trajneri i ri i Kukësit. Pas largimit të Skënder Gegës, stoli i Kukësit iu besua përkohësisht Rrahman Hallaçit dhe tani ai do të jetë ndihmës i Josës. Ky i fundit sot ka dalë në fushë dhe ka zhvilluar seancën stërvitore. “Ekipi ka zhvilluar sot stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa, i cili u shoqërua nga ndihmësi Rraman Hallaçi dhe drejtori Sportiv, Nderim Nexhipi”, – thuhet në një njoftim të Kukësit në profilin e tij në rrjetet sociale.
“Trajneri Josa foli para skuadrës, duke u prezantuar dhe duke mbajtur fjalimin e parë, teksa objektivat e klubit mbeten të njëjta, titulli kampion dhe Kupa e Shqipërisë. Ditën e mërkurë, në orën 11:00, trajneri Mirel Josa do të prezantohet para mediave”, përfundon njoftimi i klubi verilindor. Për ironi të fatit, Josa debuton si trajner i Kukësit atje ku bëri histori.
Mirel Josa është trajneri i ri i Kukësit dhe, në një përkim interesant, debutimin në krye të stolit të verilindorëve do ta bëjë të shtunën, në vendin ku ka përjetuar suksesin më të madh si trajner, në Korçë. Josa ka fituar katër tituj kampion me Skënderbeun, si dhe ka bërë histori edhe në Kupat e Evropës dhe aventurën e re në krye të Kukësit e nis pikërisht ndaj të shkuarës së lavdishme.
57- vjeçari ka qenë lojtar “kampion” dhe si i tillë ka rezultuar edhe si trajner, fillimisht në krye të Tiranës dhe më pas katër herë me Skënderbeun. Me Josën Kukësi shpreson të shpëtojnë sezonin, ku minimale mbetet zona e Kupave të Evropës, si dhe fitimi i Kupës, që janë në lojë, pasi titulli duket shumë larg. Vetë Josa ka deklaruar ditë më parë se Vllaznia është e paarritshme sa i përket betejës për titull.