AlbanianSport.com 25/01/2021 17:15
ASNN – Trajneri i Laçit flet pas triumfit ndaj bardhebluve, vlerëson Mazrekajn, habitet për Deden. Një fitore që e bëri Laçin të merrte frymë lirisht, e ka cilësuar trajneri Shpëtim Duro triumfin minimal, por të vyer që skuadra e tij arriti të hënën në kryeqytet ndaj Tiranës. “Normalisht, ka ndryshuar shumë për një javë, – ka thënë ai. – Pas fitoreve me Partizanin dhe Kukësin, erdhën pastaj humbja me Apoloninë dhe barazimi me Skënderbeun, na dëmtuan.”
“Kisha folur me djemtë para ndeshjes dhe u thashë se është faji jonë dhe duhet ta rregullojmë vetë”, – ka shtuar Duro. Për këtë arsye, trajneri kryeqytetas vlerësoi reagimin e kurbinasve, duke thënë: “Sigurisht, reagimi ndaj Tiranës ishte i duhuri. E rëndësishme është që skuadra të kalojë këtë situatë që kaluam këtë javë.” Duro ka bërë edhe një vlerësim interesant për autorin e golin të fitores, Mentor Mazrekajn. “Normalisht po luante në Kosovë në nivele të ulëta”, – ka thënë ai.
“Ishte pranë largimit nga futbolli, – ka vijuar 61-vjeçari. – Këmbëngula që të vijë te Laçi pa kosto, po shpenzime. E keni parë vetë është lojtar inivelit të lartë. Ka qenë djalë iI shkëlqyeshëm, por i keqi i vetes.” Trajneri i Laçit ka shprehur edhe qëndrimin e tij për episodin e largimit të homologut të Tiranës, Nevil Dede, në prag të ndeshjes me skuadrën e tij. “Është një rast unikal që ndodh, në Shqipëri çfarë nuk ndodh”, – ka pohuar ai.
“Unë them që nuk ka ndikuar, sepse gjysmë ore më para, ish-trajneri ka përgatitur gjithë javën skuadrën, formacionin. E shkëpus këtë rast, s’është normale, jam trajner vetë. Akoma më shumë kur ndodh ndaj një ish-futbollisti serioz dh me personalitet në futbollin shqiptar. Nuk duhet ta ulim personalitetin fare. Më ka bërë përshtypje si qëndrim. Është njeri serioz. S’ka rëndësi rezultati”, – ka përfunduar trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, pas fitores me Tiranën.