AlbanianSport.com 25/01/2021 16:15
ASNN – Deri më tani është diskutuar si një hipotezë, por tanimë po përvijohet plotësisht si një skandal për sportin italian. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) është gati të përjashtojë Italinë nga Olimpiada “Tokio 2020”. Kjo për faktin se qeveria italiane nuk ka miratuar dekretin për t’i dhënë autonominë Komitetit Olimpik Italian (CONI). Vetëm miratimi i këtij dekreti mund t’i shpëtojë sportistët italianë. Dhe kjo duhet bërë brenda 24 orësh.
Me pak fjalë, po shkohet drejt përjashtimit të Italisë nga Olimpiada “Tokio 2020”. Ky është vendimi i fundit i marrë nga IOC-ja, që do të zyrtarizohet të mërkurën, në ora 17:30. Pa një dekret të ligjëruar brenda 24 orësh, që zgjidh autonominë e CONI-t, pra, Komitetit Olimpik Italian, kjo gjë do të jetë një skandal botëror. Sportistë si Federika Pelegrini apo Gregoria Paltrinieiri, mjafton të citojmë këto dy emra, të cilët do të mund të garojnë vetëm si sportistë të pavarur.
Pra, pa flamur dhe himnin kombëtar, siç i ka ndodhur Bjellorusisë së Lukashenkos dhe la Rusisë pas skandalit për doping. Një skandal botëror, edhe përsa i përket Olimpiadës Milano-Cortina në 2026-ën, për të cilën IOC-ja ka pezulluar financimet. Një situatë, të cilën vetëm qeveria italiane mund ta zgjidhë, sepse në Lozanë, dokumentat janë gati për të përjashtuar Italinë nga Olimpiadat e ardhshme.
Një çështje politike, pa preçedent, duke e ditur se dekreti për t’i dhënë autonominë CONI-t është gati, por nuk është aprovuar ende. Vetëm një firmë mungon dhe çdo gjë i rikthehet normalitetit në sportin italian. Por çështja ndërlikohet edhe më sepse në Itali, qeveria ka rënë tashmë.