AlbanianSport.com 25/01/2021 15:45
ASNN – Trajneri tërhiqet para përballjes me Laçin, presidenti Halili zbulon arsyet. Humbja Laçin të hënën, që erdhi pas asaj mesjavën e shkuar në derbi me Partizanin, ka çuar në largimin e Nevil Dedes nga detyra e trajnerit të Tiranës. Duke folur për mediat pas humbjes me kurbinasit, presidenti Halili ka theksuar se nuk do të ngutet për të gjetur zëvendësuesin e ish-kapitenit.
Në fakt, ishte një largim që u paralajmërua që pas humbjes në derbi të enjten, kur trajneri Nevil Dede nuk doli të fliste për mediat. Ndonëse pak ditë më vonë, të dielën, ai ishte në konferencën për shtyp para ndeshjes me Laçin, ku pati theksuar se Tirana kërkon ta lërë pas humbjen me Partizanin në derbi dhe mundësia më e mirë është një fitore me kurbinasit, të hënën ka ardhur edhe përplasja përfundimtare.
Që ka bërë që trajneri i bluve kryeqytetas të largohet nga Stadiumi “Selman Stërmasi”, para ndeshjes së të hënës. Një largim ky, që për presidentin e klubit, Refik Halili, është pa kthim. “Kthim mbrapa s’ka. Kam besim se ai do të thotë të vërtetën, – ka thënë ai. -Nuk pendohem për ato që bëj. Kam besim te skuadra dhe besoj se do të ecë mbarë. S’është ndonjë gjë për të sqaruar.”
“Përderisa nuk e drejtoi ndeshjen, nuk është më trajneri, – vijoi Halili. – Për mua, po doni informacion më të plotë, bisedoni me të.” Kreu i klubit bardheblu ka zbuluar edhe arsyet e largimit të Dedes. “Atëherë, është humbje që na largon nga objektivat, – ka thënë ai. -Ikja e trajnerit është humbje. Kam lënë atë të flasë. Keni kolegun tuaj dhe gazetarët e tjerë. Nevili do ta shpjegojë.”
“Ai do ta thotë të vërtetën, – ka përsëritur presidenti bardheblu. – Na kanë kushtëzuar rezultatet. Forcën e gjej te djemtë tanë. Në ditët e vazhdim do të punojmë për të bërë ndryshimin. Kemi patur lojtarë të dëmtuar dhe do të jenë gradualisht në fushë.” Halili ka theksuar se nuk do të ngutet për të gjetur zëvendësuesin e ish-kapitenit. Nevil Dede është i dyti trajner që largohet nga stoli i Tiranës në këto 16 javë kampionat, pasi në fundin e nëntorit të vitit të shkuar ai zëvendësoi Emanuel Egbonë.