AlbanianSport.com 24/01/2021 17:10
ASNN – 23-vjeçari Kodzhom Elom Nja-Vedzhi pret plotësimin e dokumentacionit për prezantimin. Përtej ndeshjeve të kampionatit, Vllaznia vazhdon përpjekjet e saj për ta përforcuar edhe më tepër skuadrën e saj dhe duket se mesfushori Kodzhom Elom Nja-Vedzhi do të jetë lojtari i radhës do të nënshkruajë me Vllazninë. Futbollisti nga Togo, pjesë e përfaqësueses së vendit të tij në të shkuarën, ndodhet prej 3 ditësh në Shkodër dhe së shpejti pritet zyrtarizimi i tij te shkodranët.
Së fundmi në rrjetet sociale është shpërndarë një foto e mesfushorit me drejtorin sportiv të Vllaznisë, Matko Djarmati me fanellën e Vllaznisë në duar. Po vetë Djarmati, duke iu përgjigjur interesimit të RTSH Sport, ka konfirmuar nëpërmjet komunikimit elektronik se palët janë në fazën e avancuar të bisedimeve, por, siç ndodh rëndom në rastin e futbollistëve nga Afrika, dokumentacioni përbën problem. “Mungon një dokument në dokumentacionin e tij dhe, besoj se, sapo të na vijë, do të bëjmë prezantimin e tij”, – ka thënë kroati.
Kodzhom Elom Nja-Vedzhi, 23 vjeç, luan si kryesisht si mesfushor i djathtë, ndonëse është aktivizuar edhe në të majtë, dhe ka spikatur tek skuadra e Zetës në Mal të Zi. Pjesën e parë të këtij sezoni ai ka luajtur në 16 ndeshje (11 titullar) dhe ka shënuar katër gola. Për herë të parë në Evropë i është bashkuar skuadrës së Rudarit, duke luajtur 17 ndeshje dhe duke shënuar 3 gola, dhe tani po bëhet gati për një eksperiencë të re në Superiore.