AlbanianSport.com 23/01/2021 17:55
ASNN – Në pamje të parë duket një mision i vështirë, duke iu referuar renditjes, por Kastrioti do të bëjë të pamundurën për të frenuar Vllazninë e vendit të parë të dielën. Duke folur për mediat para këtij takimi, të vlefshëm për javën e 16-të të Kategorisë Superiore, Ramadan Ndreu, ka kërkuar të motivojë lojtarët e tij për të dhënë maksimumin dhe për të marrë pikë. “Ne na interesojnë shumë pikët, – ka thënë fillimisht ai. – E keqja është kur zhvillon lojëra të dobëta dhe pikët nuk i merr.”
“Kemi zhvilluar lojëra të mira, kjo na bën optimistë, por me pikët jemi keq, – ka vijuar trajneri krutan. – Vllaznia është një skuadër shumë e mirë, ka bërë shumë mirë këtë kampionat dhe është me meritë aty ku është. Na del për detyrë një angazhim i jashtëzakonshëm nga gjithë lojtarët. Kemi mungesa, por në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë.”
“Shpresojmë që të vazhdojmë me atë ritëm ndeshjesh edhe në Shkodër dhe të kemi edhe fatin që të na vijnë pikët, – ka theksuar nr. 1 i stolit të Kastriotit. – Skuadrat po tregojnë që janë aty-aty në këtë kampionat. Diferencën e bëjnë momentet, detajet dhe ndonjë lojtar që ka klas të lartë. Vllaznia ka bërë shumë mirë dhe kanë kontingjent të plotë, kanë eufori dhe kanë avantazhin që janë të lirshëm, prej pikëve, diferencës dhe lojërave të mira.”
Por Ndreu e ka recetën për lojtarët e tij ndaj kryesuesëve, teksa thotë: “Futbolli është vlerësim. Nëse do e vlerësojmë maksimalisht, nëse japim shpirtin në fushë dhe futemi me ide të qarta, kam besim se i kemi të gjitha mundësitë për të marrë rezultat.” Në vijim, trajneri i Kastriotit ka prekur edhe çështjen e merkatos. “Është e vështirë të marrësh lojtarë në këtë periudhë”, – pohon ai.
“Duhet të kesh kapacitet financiar për të marrë lojtarë të mirë, ne ndoshta nuk e kemi këtë kapacitet të madh financiar për të marrë lojtarë të mirë. Le të shpresojmë deri në fund për të marrë lojtarë mesatarë. Jemi në bisedime, por nuk jam shumë optimist, pasi po dështojmë herë pas herë në bisedime. Vetëm shpresojmë“, – përfundoi trajneri i ekipit krutan.