AlbanianSport.com 23/01/2021 16:25
ASNN – Shqipëria e futbollit të sallës ka filluar ditën e shtunë përgatitjet për fazën finale të Eliminatoreve të Kamponatit Evropian të 2022-shit. Skuadra e drejtuar nga Erind Resuli është vendosur nga shorti në një grup me Ukrainën, Kroacinë dhe Danimarkën, në një grup që do të luajë ndeshjet në sistem vajtje-ardhje. Për të folur për dy ndeshjet e para eliminatore, atë kundër Kroacisë në vizitën e 27 janarit dhe atë me Ukrainën në shtëpi me 31 janar 2021, ka dalë të shtunën në konferencë për shtyp përballë mediave trajneri Resuli, që ka publikuar dhe listën e lojtarëve të grumbulluar, një listë që ka mungesa të rëndësishme.
Trajneri Resuli ka bërë fillimisht një panoramë të grupit eliminator dhe gjendjes së lojtarëve të tij dhe elementët që e formësojnë atë, duke parë mungesat e 4 lojtarëve të rëndësishëm. “Në radhë të parë ne po flasim për një situatë të pazakontë dhe për një situatë që ka dëmtuar jo vetëm sportin por edhe të gjithë ekonominë botërore, – ka thënë ai. – Për momentin nga formacioni kryesor ose nga 14-shja kryesore, na mungojnë 4 lojtarë kryesorë, që është kapiteni i skuadrës, Roald Halimi që ka rezultuar pozitiv në datën 17 janar. Po presim një përgjigje të dytë dhe, në qoftë se del negativ, ta kemi për ndeshjen me Ukrainën që do ta luajmë në Tiranë.”
“Narcis Alibebu, që ka bërë dëmtim në gju, Kemal Gashi, që gjithashtu ka rezultuar pozitiv me “Covid-19” dhe Julio Cesar De Melo, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv dhe presim dhe për të, të bëjmë një test tjetër, ndoshta e bëjmë nesër, që ta kemi për ndeshjen kundër Ukrainës, – ka vijuar trajneri kuqezi. – Jemi në një gjendje të pazakontë dhe situata nuk është ajo që duhet të ishte idealja për ne. Do të luajmë me vendin e 6-të dhe të 7-të në Evropë, siç është Ukraina dhe Kroacia. Diskutojmë për ekipe me nivel shumë të lartë, diskutojmë që janë ekipe të nivelit që ne nuk i kishim prekur ndonjëherë, aq më tepër që ne jemi në fazën e grupeve.”