AlbanianSport.com 22/01/2021 20:55
ASNN – Verder Bremeni po shpreson ende ta shesë Milot Rashicën gjatë merkatos së janarit. Klubi gjerman thuhet se ka ulur edhe çmimin për sulmuesin kosovar, vetëm për ta shitur gjatë kësaj periudhe të transferimit të lojtarëve. Verderi kërkonte 20 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin e përfaqësueses së Kosovës, por tani klubi gjerman do të pranojë ofertë edhe në kufinjtë e 15 milionë Eurove.
24-vjeçari ka kontratë me Verderin deri në vitin 2022. Për Rashicën interesim kishin shprehur skuadra si Bajer Leverkuseni, Lajpcigu dhe Aston Vila. Këtë sezon, ai ka luajtur në 7 ndeshje në Bundesliga, duke dhënë edhe një pasim për gol. Ai është pjesë e Verder Bremenit që nga vitit 2018, kur u transferua nga Vitese Arnhemi. Ndërkohë, Rashica pritet të jetë titullar në ndeshjen që skuadra e tij do të luajë kundër Herthës së Berlinit.
Rashica mungoi në 4 ndeshjet e Verderit në muajin dhjetor dhe në dy të fillimit të këtij viti, për shkak të një dëmtimi muskular. Ai luajti një minutë në fitoren 2-0 kundër Augsburgut dhe të martën kundër Borusias së Mënshengladbahut luajti për 16 minuta në humbjen me rezultatin minimal, 0-1. Por tani sipas trajnerit Florian Kohfeldt, Rashica është i gatshëm tërësisht.
Trajneri pret që ai të jetë në formën më të mirë të shtunën, kur Verderin do ta presë në shtëpi skuadra e kryeqytetit gjerman, teksa thotë: “Ai ka shumë energji dhe shkathtësi, dhe ka lënë përshtypje të madhe së fundmi në ndeshjen e së martës dhe në stërvitje. Ai është një nga kandidatët për ta filluar ndeshjen e së shtunës dhe do të jetë përfundimisht i gatshëm për të luajtur nga fillimi kundër Herthës së Berlinit.”