AlbanianSport.com 06.12.2014 16:05
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën pasdreke dy ndeshjet e para të javës së saj të 15-të dhe Skënderbeu ka mundur Teutën 3-2, ndërsa Kukësi është ndalur në fushën e vet me rrjeta të paprekura nga Apolonia. Kampionët në fuqi kanë vuajtur në shtëpi përballë durrsakëve, edhe për faktin që kanë luajtur për më tepër se një orë lojë me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Vangjelit.
Sidoqoftë, Skënderbeu ka kryesuar deri në 3-0 dhe, ndonëse Teuta ka shkurtuar me dy gola në fund, nuk ka arritur t’u mohojë fitoren korçarëve. Në takimin tjetër, Apolonia ka dëshmuar se nuk e ka ndërmend të dorëzohet lehtë, duke i marrë një pikë të çmuar Kukësit në shtëpi dhe duke i frenuar verilindorët në marshimin e tyre drejt kreut. Dy takime e tjera të javës së 15-të, Laçi-Flamurtari dhe Elbasani-Vllaznia, luhen të dielën, duke nisur nga ora 13:00.
Kjo javë mbyllet të hënën me derbin midis Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet duke nisur nga ora 18:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skënderbeu kryeson hëpërhë renditjen, me 30 pikë, po aq sa Partizani, që ka luajtur një ndeshje më pak. Pas tyre renditen Tirana dhe Kukësi, me nga 29 pikë secila, por me bardheblutë që kanë luajtur një ndeshje më pak.
Kategoria Superiore
Java e 15-të
Të shtunën:
Skënderbeu – Teuta 3-2
Shënues: Shehi 43’(11-m.), Alikaj 61’, Olajinka 67’ / Hyseni 79’, Dita 83’
Kukësi – Apolonia 0-0
Të dielën:
Elbasani – Vllaznia (13:00)
Laçi – Flamurtari (13:00)
Të hënën:
Partizani – Tirana (18:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Skënderbeu 15 9 3 3 24-7 30
- Partizani 14 9 3 2 13-5 30
- Tirana 14 8 5 1 18-7 29
- Kukësi 15 9 2 4 16-10 29
- Laçi 14 5 5 4 15-10 20
- Flamurtari 14 4 6 4 12-9 15
- Vllaznia 14 5 2 7 10-15 14
- Teuta 14 4 1 9 11-16 13
- Apolonia 15 2 3 10 4-26 9
- Elbasani 14 2 0 12 8-25 6