AlbanianSport.com 21/01/2021 16:10
ASNN – Në intervistën e parë, të dhënë pas marrjes së detyrës si president i FIA-s, Stefano Domenikali, ka siguruar të gjithë se kalendari me 23 gara i Botërorit 2021 të Formula 1, do të respektohet. Ai pranon se kanë gati alternativa të tjera garash, në rast se ndonjë Çmim i Madh do të anulohet. Presidenti dhe Drejtori i ri i Përgjithshëm i FIA-s, Stefano Domenicali thotë se Formula 1 po shkon drejt konkretizimit të kalendarit të saj për 2021 mes epidemisë në vazhdim, duke thënë se garat alternative janë në gatishmëri në rast të ndryshimeve të mundshme. Deri tani, është planifikuar një kalendar me 23 gara.
Por Formula 1 tashmë është detyruar të shtyjë Çmimin e Madh Australian për shkak të kufizimeve të vazhdueshme prej epidemisë, duke e zhvendosur atë nga marsi në nëntor, ndërsa Çmimi i Madh i Kinës është hëpërhë jashtë kalendarit. Megjithëse Formula 1 ka deklaruar angazhimin e saj për të përmbushur kalendarin ekzistues, Domenikali pranon se i kanë gati garat rezervë nëse do të kërkohet. “Jemi në kontakt çdo ditë me të gjithë organizatorët, pasi e dimë që epidemia është ende mes nesh”, – tha Domenicali për rrjetin e njohur sportiv ndërkombëtar, “Sky Sports” në intervistën e tij të parë, pas marrjes së detyrës së re.
“Kjo është arsyeja pse ne u detyruam të ndryshojmë datën e garës së parë, atë të Australisë, – ka vijuar ai. – Por deri më tani, informacioni që kemi është që të gjithë do të dëshironin që me të vërtetë të zbatonin kalendarin. Sigurisht, ne duhet të jemi mjaft fleksibël për të kuptuar se ndoshta në pjesën e parë të sezonit, ne mund të bëjmë disa gara pa publik ose me numër të kufizuar njerëzish. Por ajo që unë mund të siguroj është se ky sezon do të bëhet i plotë. Ne kemi alternativa të mundshme në rast të ndonjë pamundësie gare. Kjo është ajo që dimë sot, por ne e dimë se si ka evoluar pandemia, prandaj duhet të jemi të gatshëm për një qasje fleksibël në sezon.”
Formula 1 tashmë ka shtuar në kalendar Çmimin e Madh të Emilia-Romanjës në Imola si gara e dytë e sezonit dhe pritet të konkretizojë edhe garën në Portimao të Portugalisë si e 3-ta në radhë. Domenikali shpreson se kalendari me 23 gara të bëhet. “Mund të ketë dy qëndrime në lidhje me këtë aspekt, – ka pohuar ai. – Dikush mund të thotë se ka shumë, disa të tjerë që nuk është problem. Unë do të thoja që ky ekuacion do të zgjidhet nga fakti se, nëse jemi në gjendje të japim një produkt të pabesueshëm, ne mund të shkojmë në një situatë ku ndoshta mund të kthehemi në një numër më të vogël të garave, duke pasur mundësinë e vendosjes së disa garave të tjera.”