AlbanianSport.com 20/01/2021 18:25
ASNN – Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka realizuar këto ditë takime të njëpasnjëshme me Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore, që do të aplikojnë për të marrë një licencë nga UEFA. Pjesë e këtyre takimeve informuese dhe shpjeguese kanë qenë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. Takimet u zhvilluan javën që lamë pas, duke nisur me Apoloninë dhe përfunduan ditën e martë me klubin e Laçit.
Këtë vit, rregullorja e licencimit të klubeve të Superiores, është përafruar me rregulloren e UEFA-s për pjesëmarrjen në veprimtaritë evropiane. Gjatë takimeve, klubet janë njohur me të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë në mënyrë që të pajisen me licencën e UEFA-s: kriterin sportiv, infrastrukturor, kriterin administratë-personel, kriterin ligjor dhe kriterin financiar. Theksi u vu në plotësimin e dokumentacionit për plotësimin e 4 kritereve të para, që është edhe pjesa më voluminoze.
Kriteri financiar mbetet më i rëndësishmi, pasi ka disa klube që ende kanë probleme në detyrimet e prapambetura karshi të tretëve, individëve të veçantë dhe tatimeve. Çdo informacion për kriterin financiar do të duhet të raportohet online. Për 4 kriteret e para, afati i brendshëm është 31 janar 2021. Të gjitha klubet duhet të depozitojnë dosjet dhe dokumentet e protokolluara pranë Sektorit të Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Për kriterin e fundit afati i brendshëm është 28 shkurt 2021, ndërsa afati përfundimtar është 31 mars 2021. Në prill të këtij viti, ekspertët e kritereve do të përpilojnë raportet dhe në mes të muajit, Komisioni i Licencimit do të japë vendimin përfundimtar për dhënien ose jo të licencës, një klubi. Ditën e enjte, Sektori i Licencimit do të zhvillojë sërish një takim me të gjitha klubet dhe do t’u kërkojë të plotësojnë dokumentet sa më shpejt të jetë e mundur.
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur në dispozicion të klubeve të gjitha burimet për t’i ndihmuar në këtë proces.