Gjergj Vyshka 06.12.2014 15:20
Barleti Volej e ka mbajtur zero shifrën e seteve të humbur, teksa dje, në harkun kohor të një ore, ka fituar 3-0 me Skënderbeun. Në setin e parë, atëherë kur Gurabardhi ka luajtur me të gjitha titullaret e tij, diferencat kanë qenë të mëdha, aq sa rezultati përfundimtar ka qenë 25-7. Në të dytin përkeqësohet situata për kampionet, sepse në fushë janë lojtaret e formacionit të dytë që nga Jola Gjermeni, Hasku, lojtarja e lirë Uka e më pas dhe Picaku e Dervishit.
Dhe Skënderbeu shkëputet deri në 14-17. Gradualisht Barleti Volej merr veten dhe fiton setin 25-19. Në setin e tretë nuk ka më probleme dhe kampionet fitojnë 25-14. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte Eleni Bego e Skënderbeu me 12 pikë, e ndjekur nga Braho e Nezaj të Barletit Volej me 11 pikë, si dhe Bici 10 pikë. Në bllok kanë dalë fitues Nezaj e Barletit Volej me tre mure fituese, kurse në shërbim Tuci e Barletit dhe Kole e Skënderbeut me tre.
Në total Barleti Volej ka shënuar 75 pikë prej të cilave 62 vetë, kurse 13 kanë ardhur nga gabimet e korçareve. Në krahun tjetër në tre sete Skënderbeu ka shënuar 40 pikë, prej të cilave 32 vetë dhe 8 kanë ardhur nga gabimet e Barletit.
Barleti Volej – Skënderbeu 3-0
(25-7, 25-19, 25-14)
Barleti Volej: Harxhi, Fagu (L), Bici, Braho, Tuci, A. Gjermeni, Nezaj / Picaku, Dervishi, J. Gjermeni, Hasku, Uka (L). Trajner: H. Gurabardhi
Skënderbeu: Grabocka, Zguri, Demiraj, Kole, E. Bego, Nasto, A. Bego (L) / Dhimitri, Male. R. Xega
Gjyqtarë: E. Dusha, E. Zguri (Tiranë)