AlbanianSport.com 20/01/2021 13:05
ASNN – Derbi i madh i gjen dy rivalet në përpjekje të dëshpëruar për të ndalur Vllazninë. Statistikat flasin për të dyja skuadrat, vaksinimi e “degdis” derbin e futbollit në “Elbasan Arena”. Kjo është java e derbit të madh të futbollit shqiptar, atij midis Partizanit dhe Tiranës, dy ekipeve që luftuar për supremacinë e kryeqytetit. Duke i hedhur një vështrim të shpejtë statistikave, vëren të dhëna shumë interesante në të gjithë repartet e lojës, duke nisur nga prapavija, ku spikatin dy super mbrojtje dhe dy super portierë. Numrat e të dy portierëve përkatës, Alban Hoxha dhe Visar Bekaj, janë të tilla prej skuadrash në vend të parë në klasifikim.
Alban Hoxha i Partizanit është portieri që bën më pak pritje në kampionat, 2.09 për ndeshje, i ndjekur nga Visa Bekaj i Tiranës që pret 2.49 herë gjatë një ndeshjeje. Bekaj është edhe portieri që ka bërë më shumë dalje në lartësi në këtë kampionat, 2.09 në ndeshje kundër 1.35 që bën Hoxha, i dyti në këtë klasifikim është Zogoviҫ i Vllaznisë me 1.66. Numrat e këtyre portierëve, mbi të gjitha pritjet e pakta, tregojnë jo vetëm besueshmërinë e portierëve, por edhe sigurinë e mbrojtjeve përkatëse.
Ndërkaq, sa i përket zotërimit të topit, pas Vllaznisë për numrin e pasimeve të realizuara në një ndeshje (396.3) gjatë këtij kampionati, në renditje vijnë Tirana dhe Partizani, me 375.2 dhe 363.9. Së bashku me Kukësin, Tirana është e para në përqindjen e pasimeve të arritura me sukses, 80.3%, Partizani në këtë të dhënë është kuotën e 79.3%. Të kuqtë janë në fakt skuadra që realizojnë më pak pasime të gjata në këtë kampionat, 46.7 për ndeshje.
Kurse Tirana është pak më poshtë se mesatarja e kampionatit me 50.1 për ndeshje, por ndodhet në vend të dytë pas Laҫit në raport me pasimet e gjata të kryera me sukses (56.7% Tirana dhe 56.9% Laҫi). Ndërkaq, ka diferenca në sulm, pasi bardheblutë janë skuadra që realizon më shumë pasime të cilat përfundojnë në 30 metra e fundit, 56.5 për ndeshje, duke qenë në vend të dytë mbrapa Teutës që realizon 60 në ndeshje, por është qartësisht e para për saktësinë e këtyre pasimeve, 70%.
Në këtë renditje të veçantë, Partizani është në vendin e 8-të në kampionat, me 47.7 pasime për ndeshje. Këtu dalin të dhëna më të thella që krijojnë diferenca: Tirana që dërgon shumë topa në 30 metrat e fundit, gjuan shumë pak drejt portës, 9.56. Partizani gjuan akoma më pak, 9.3 për ndeshje por dërgon shumë më pak pasime në 30 metrat e fundit. Por e dhëna që godet më shumë është ajo e saktësisë së gjuajtjeve në portë: Partizani është i pari në kampionat, me 44.2% dhe Tirana e fundit me 30.3%.
Ndërkaq, ky është një sezon çudirash sa u përket stadiumeve. Sikur të mos mjaftonte problemi i Kukësit që po bën stadiumin e ri apo Kastrioti që do të luajë gjithë sezonin në Kamzë sepse stadiumi i Krujës është i amortizuar, kemi parë që Tirana luan në Korçë si pritëse apo edhe Partizani në Pogradec si skuadër vendase. Tanimë është vendosur që Derbi Partizani-Tirana do të luhet në Elbasan, ndërkohë që kryeqyteti ka dy stadiume.
Çudia e parë është që, për arsye që nuk janë shpjeguar publikisht, Stadiumi “Arena Kombëtare” është përzgjedhur për të kryer vaksinimin anti-COVID, ndërkohë që mund të përdorej Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Salla Sportive e Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës apo edhe Salla Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ku nuk zhvillohet asnjë veprimtari sportive për shkak të mbylljes së lojërave me dorë.
Për të mos përmendur pastaj që vaksinimi i personelit shëndetësor mund të kryhej edhe në ndonjë spital me më pak fluks si ai “Covid 4”. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është që derbi nuk luhet as në Stadiumin “Selman Stërmasi”, i rikonstruktuar pak vite më parë dhe që edhe po të luhej pa drita, nuk do të ishte hata e madhe për aq kohë sa tifozët ende nuk lejohen në stadium. Megjithatë, derbi i kryeqytetit prapëseprapë do të luhet… në Elbasan!