AlbanianSport.com 20/01/2021 12:25
ASNN – Shkon në 10 numri i tenistëve të infektuar me “Covid-19” në Turneun e Hapur të Australisë (“Australian Open”). Këta janë sportistë që kanë udhëtuar me avionët që kishin në bord persona të infektuar me virus korona. Të gjithë pjesëmarrësit e turneut ndodhen në karantinë dyjavore. Kështu, edhe dy sportistë të tjerë në “Australian Open” kanë rezultuar pozitivë për virusin korona. Lajmin e kanë dhënë autoritetet shëndetësore vendore, sipas të cilave, numri i rasteve pozitive me “Covid-19”, të lidhura me turneun e tenisit, shkon në 10.
Një varg infeksionesh të zbuluara nga autoritetet Australiane kanë detyruar 72 tenistë, të qëndrojnë të mbyllur në dhomat e hotelit për dy javë. Ministrja e policisë së shtetit të Viktorias, Lisa Nevill tha se dy tenistë dhe dy persona të tjerë, jo të lidhur me turneun, kishin dalë pozitivë gjatë 24 orëve të fundit. Një nga tenistët, u tha ajo gazetarëve, “ka qenë në karantinë, sepse ai hyri në vend me një nga fluturimet ku kishte patur raste pozitive”. Më shumë se 1.000 lojtarë tenisi dhe stafet e tyre, kanë mbërritur në Australi tashmë, dhe kryesisht janë të painfektuar.
Ata kanë mbërritur në Australi me 17 avionë “çarter” javën e kaluar dhe, në disa prej tyre ka patur raste me pasagjerë të infektuar me “Covid-19”. Disa raste pozitive të njoftuara më parë janë riklasifikuar si jo-infektive, që do të thotë se numri i konfirmuar i rasteve në grupin e turneut është tani 10. Por të gjithë po kalojnë 14 ditë në karantinë në hotel. Lojtarët që nuk konsiderohen kontakte të ngushta të rasteve pozitive, janë lejuar të stërviten deri në 5 orë në ditë nën masa të rrepta sigurie.
Megjithë ankesat që kanë shfaqur disa tenistë, për kushtet e vështira nëpër dhomat e hotelit, ushqimin aspak të mirë të ofruar nga organizatorët, shumica tjetër janë përpjekur t’i kthejnë dhomat e tyre të hotelit në palestra të improvizuara. Turneun e Hapur të Australisë (“Australian Open”) është parashikuar të nisë në 8 shkurt 2021.