AlbanianSport.com 19/01/2021 23:55
ASNN – Siç ndodh zakonisht para çdo ndeshjeje, edhe para asaj që luan të mërkurën ndaj Kastriotit, të vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore, trajneri i Teutës, Edi Martini, ka dalë në konferencë për shtyp. Shkodrani është ngacmuar fillimisht mbi faktin që skuadra e qytetit të tij të lindjes, Vllaznia, shikohet si favorit për titull para durrsakëve. “Jam i fokusuar tek ekipi im, – është përgjigjur 46-vjeçari. – E rëndësishme është që të shohim rezultatet e ndeshjeve tona sfida pas sfide dhe të mos e shohim shumë tabelën e renditjes.”
“Do bënim gabim nëse ndodh kjo, – këmbëngul Martini. – Të fitojmë ndeshjet tona, fundi i kampionatit është shumë larg.” Më pas, trajneri i bregdetarëve foli për duelin me Kastriotin, duke thënë: “Të rëndësishme për ne momentalisht janë pikët, ato bëjnë diferencën. Lojërat i kemi pasur të mira. Në 99 për qind të rasteve kemi qenë superiorë karshi çdo kundërshtari, por nuk kemi marrë pikët. Ato bëjnë diferencën dhe ato kanë rëndësi për ne. Është një ndeshje shumë e fortë. E pashë Kastriotin në ndeshjen kundër Tiranës, ishin të barabartë në fushë.”
“Pati rastet e veta dhe mund të shënonte edhe golin e dytë, – ka vijuar ai. – Është një ekip i fortë, që lufton shumë dhe ka grinte. Pra është një ndeshje shumë e vështirë”. Në fakt, shkodrani i stolit durrsak këmbëngul se nuk e ka shumë mendjen te ndalimi i Vllaznisë, apo i Partizanit në derbi. “Ekipi është në gjendje të mirë, çdo lojtar është në formën më të mirë. Nuk bëj llogari, duam vetëm të fitojmë ndeshjet tona.”,Trajneri i Teutës ka prekur edhe raportin e tij me drejtorin teknik, Sulejman Starovën, duke thënë: “Kemi bashkëpunim me të gjithë, nga i pari tek i fundit.”
“Çdo gjë është në shërbim të punës. Gjithsecili bën atë që duhet për të arritur aty ku duhet”, – shton Martini, i cili ësht pyetur edhe për afrimin e fundit në skuadrën e tij, mbrojtësin Xhekson Ferreira. “Them se jemi kompletuar në të majtë, pasi Xheksoni është një lojtar i mirë, një lojtar që ka dhënë prova, – ka thënë trajneri. – Kemi pyetur shumë para se ta marrim. Shpresoj të jetë një përforcim i mirë. Konkurrenca i bën mirë çdo lojtari, kjo vlen edhe për Kouros. E kam thënë se Teuta është si një familje, ku planet individuale janë në plan të dytë. Ekipi vjen i pari.”
“Konkurrenca është e mirë, të bën të ecësh përpara, – vijon shkodrani. – Nuk shoh asgjë të keqe në këtë drejtim. Merkato në vijim? Nuk e di ende. Janë edhe disa ditë, ndërkohë që luajmë edhe 3 apo 4 ndeshje dhe jemi të fokusuar tek ato. Do ta shohim në këto ndeshje. E kam thënë se jemi të kompletuar, thjesht duhet të punojmë të arrijmë aty ku duhet”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Edi Martini.