AlbanianSport.com 19/01/2021 16:55
ASNN – Ende nuk po ka “tym të bardhë” sa u përket lajmeve të shumëpritura për të apasionuarit e Formulës 1, sepse, sa i përket Ljus Hemiltonit dhe “Mercedes”-it, ende nuk është zgjidhur asgjë për marrëveshjen. Piloti britanik, aktualisht është i papunë. Por Berni Ekleston është i mendimit se kjo vonesë në arritjen e marrëveshjes është thjesht një “shou”, për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Në fakt, statusi aktual i një të papuni luksi duket se nuk po e shqetëson më Ljuis Hemiltonin.
Ai është në pritje të zgjidhjes së kushteve të kontratës së re me Mercedes, në mënyrë që të kënaqen të dy palët. E ndërkohë po kalon pushimet në vend malor, ku mbizotëron bora. Por një 90-vjeçar, personazh kryesor në botën e Formula 1, jep mendimin e tij për të ardhmen e 7 herë “kampionit të botës”. Edhe pse në atë moshë, tepër i kthjellët në mendime, Berni Ekleston e thotë pa doreza atë që mendon: “Gjithçka është një show!”.
Pra, ai thekson se kjo marrëveshje po zgjatet për të tërhequr vëmendjen të gjithëve, në këto javë të trishta dimri. Nuk thotë fjalë të përgjithshme Berni, por zgjedh diçka më të saktë, duke iu referuar Edi Xhordanit, ish-drejtuesit kryesor të skuadrës, që pas shumë ndryshimeve emrash, tashmë quhet, Aston Martin. Ai, jo më shumë se para disa ditësh ka thënë për Toto Volfin e drejtuesit Daimler, se ata do t’i tregonin derën Hemiltonit.
Pra në pritje të deklaratave të palëve të interesuara, nuk mungojnë zërat për këtë çështje. Por të duket se të gjithë janë dakort me thënien e Shekspirit: “Shumë zhurmë për asgjë”. Por kur në mes janë miliona dollarë, nuk është më një asgjë. Pa këtë detaj, sigurisht jo dytësor, pilotin britanik do ta donin të gjithë në skuadër, por vetëm “Mercedes”-i mund t’ia plotësojë këtë tekë luksi Hemiltonit.