AlbanianSport.com 18/01/2021 21:40
ASNN – Ka shkuar në 72 numri i tenistëve dhe tenisteve që janë detyruar të hyjnë në karantinë, për dy javë, në dhomat e tyre të hotelit, në pritje për të nisur Turneu i Hapur i Australisë (Australian Open). 47 të izoluarve u janë shtuar edhe 25 të tjerë, të cilët kanë udhëtuar me një avion nga Doha drejt Melbërnit, me një pasagjer, i cili në fund të udhëtimit, pas kontrollit rezultoi pozitiv. “Tani 25 lojtarët nuk mund të dalin nga dhomat e tyre të hotelit dhe gjithashtu as nuk mund të stërviten”, – shkruhet në një deklaratë të lëshuar nga organizatorët e turneut.
Në këtë situatë, drejtori i turneut, Kreig Tajli, kërkon të vazhdojë të ruajë procedurat mbrojtëse, në mënyrë që turneu i programuar për t’u zhvilluar në 8 shkurt, të zhvillohet, megjithë vështirësitë e krijuara nga virusi. Çështja më e vështirë për t’u zgjidhur është për këta 72 tenistë, që janë të detyruar të qëndrojnë në dhomat e tyre për 14 ditë pa patur mundësi as për t’u stërvitur. Madje disa prej tyre janë ankuar edhe publikisht nëpër rrjetet sociale për këtë.
Por ka patur edhe nga ata që janë munduar të bisedojnë me të karantinuarit, por janë kërcënuar me gjoba nga organizatorët. Megjithatë ata janë munduar t’iu vijnë në ndihmë këtyre tenistëve, duke iu vënë në dispozicion pajisje të ndryshme në mënyrë që të stërviten nëpër dhoma. Novak Gjokoviçi ka dashur t’iu vijë në ndihmë kolegëve të vet, duke u drejtuar një letër organizatorëve të turneut, ku kërkon uljen e numrit të ditëve të izolimit, nëse del një tampon negativ.
Por edhe transportimin e tenistëve nëpër shtëpi private me fusha tenisi, ku ta mund të stërviten. Por Tajli nuk ka pranuar asnjë nga kërkesat e Gjokoviçit, duke theksuar se nuk mund të ketë trajtim të veçantë për asnjë tenist. “Australian Open” është parashikuar të nisë në 8 shkurt 2021.