AlbanianSport.com 18/01/2021 20:10
ASNN – Përveçse e ka mbyllur 2020-ën në vendin e parë të renditjes së grupit A, apo grupit të Veriut të Kategorisë së Parë, 18-herë kampionia e Shqipërisë ka pushtuar titujt e lajmeve sportive të ditëve të para të vitit të ri, duke sjellë në Tiranë dy emra të njohur të futbollit përtej Adriatikut, siç janë Françesko Moriero dhe Fabricio Mikoli.
Por si ish-futbollisti i Interit, ashtu edhe ndihmësi i tij, ish-futbollisti në të tjera i Juventusit dhe përfaqësueses axurre, duket se e kanë këtë bastin e jetës së tyre në stol. Dyshja e re teknike e ka vlerësuar lart grupin aktual të dinamovitëve. Edhe pse kanë pak kohë në Shqipëri, Moriero dhe Mikoli kanë krijuar një ide, edhe pse minimale, të nivelit të kampionatit këtu.
– Si e ke gjetur Dinamon?
– Kam gjetur një skuadër të mirë dhe jemi duke punuar. Kemi vetëm pak kohë që jemi këtu, por skuadra më pëlqen, më pëlqen shumë.
– A është një bast i madh për ty kjo përvojë?
– Për mua kjo është përvoja ime e parë si bashkëpunëtor, si ndihmëstrajner. Trajneri Moriero i ka idetë e qarta dhe basti ynë është që kemi ardhur këtu duke kërkuar që të bëjmë mirë, të punojmë, të përkushtohemi, të japim maksimumin dhe të vlerësohemi për atë që jemi. Prandaj, shpresojmë të bëjmë mirë, skuadra është e fortë dhe urojmë më të mirën.
– Si të kanë pritur në klub?
– Mirë, mirë, janë djem të jashtëzakonshëm dhe një grup i bukur… na kanë pritur mirë, prandaj jam i kënaqur.
– Në aq pak kohë sa jeni këtu, a keni parë ndonë video të ndeshjeve të skuadrave të tjera dhe a keni ndonjë ide, sado minimale, të nivelit të kampionatit këtu?
– Kemi parë videot e disa ndeshjeve dhe duhet të themi që futbolli në Shqipëri po njeh rritje të madhe. Të gjitha skuadrat janë të organizuara, skuadra që punojnë mirë, prandaj do të jetë e vështirë për ne, por ne duhet të japim maksimumin tonë.