AlbanianSport.com 18/01/2021 19:25
ASNN – “Tani është e vështirë të thuash, por mund të ketë patur gabime në mjekimin e Mark Márkezit.” Kështu është shprehur mjeku italian Mikele Zasa, kreu i “Klinikës Lëvizëse”, në Moto GP. Ai pranon që nuk dihet shumë mbi mjekimin e pilotit spanjoll, prandaj asnjë nuk e di me siguri se kur mund të kthehet në pistë. Rrëzimi i Mark Márkezit në garën e parë të Botërorit të Moto GP në 2020-ën, i kushtoi atij sezonin dhe, si pasojë, një rikuperim të gjatë, që vazhdon ende sot, me një pasiguri të madhe për momentin e rikthimit të tij në garë.
E gjithë kjo situatë është e rrethuar nga polemika, sidomos për faktin që pse ai u lejua të kthehej në garë vetëm 4 ditë pasi ishte operuar në shpatull. Gjë që solli ndërlikime të paparashikuara, dy operacione të tjera, një infeksion tani së fundmi dhe shumë shqetësime në këtë drejtim. Hija e neglizhencës mjekësore është një mundësi të cilës Dr. Michele Zasa i referohet tani, kreu mjekësor i të ashtuquajturës “klinikë udhëtuese, që udhëton në të gjitha qytetet e botës ku zhvillohen garat, për t’u ofruar ndihmë pjesëmarrësve në to.
Në një intervistë për faqen e specializuar italiane, “Moto.it”, ai shpjegon me detaje procedurat për vlerësimin e pilotëve të dëmtuar dhe miratimin e lejes, sipas arsyes, për të garuar përsëri pas një dëmtimi ose rrëzimi. Zasa i referohet në këtë moment rastit të Mark Márkezit. E për këtë, mjeku italian pranon angazhimin mjekësor për kampionin katalanas, teksa thotë: “Vlerësimet nuk janë asnjëherë të thjeshta dhe as mjekësia nuk është një shkencë ekzakte, ne shpesh punojmë brenda kufijve.”
“Ndaj them se me kalimin e kohës mund të ketë gabime në vlerësimin e gjendjes së Márkezit”, – shton ai. E duke respektuar privatësisë e pacientit dhe mjekëve, të cilët lejuan që Márkezi të dilte në pistë në garën e dytë në Herez, 4 ditë pas operacionit, Zasa thotë: “Márkezi është një pilot i cili mendon vetëm të fitojë, ndaj edhe në Herez ai u rikthye duke u nisur nga ndjenjat e tij, duke dëgjuar reagimin trupit të tij”. Ai thekson se për operacionet e pilotit spanjoll, të cilat u kryen në Spanjë, nuk dihen shumë hollësi.
E sidomos tani pas lajmit që Marku ka edhe një infeksion, specialisti italian nuk është shumë optimist për rikthimin e tij në pistë. “Të gjithë duam që Márkezi të rikthehet në pistë, sa më shpejt që të jetë e mundur, ai është një nga kampionët e mëdhenj në historinë e Moto GP, – thotë Zasa. – Ne nuk kemi shumë detaje për ecurinë e tij, të operacione dhe të gjendjens së tij, por me një logjikë të thjeshtë, mund të themi se duhet një proces i gjatë që mund të zgjasë me muaj.”
“Nëse do të jenë dy apo 6 është diçka që nuk mund ta specifikoj sepse më mungon baza shkencore për ta bërë këtë. Infeksioni në kockë kurohet. Por nuk di me çfarë antibiotikësh po mjekohet ndaj nuk mund të them asnjë me siguri”, – përfundon mjeku italian, Mikele Zasa.