AlbanianSport.com 17/01/2021 22:05
ASNN – Klubi verilindor hedh poshtë zërat për shkarkimin e ish-kapitenit, i jep votëbesimin. Përtej paraqitjeje të kënaqshme në turet eliminatore të Ligës së Evropës dhe një nisjeje të mirë të sezonit, gjërat në kampin e Kukësit nuk kanë shkuar edhe aq mirë së fundmi. Dhe pas humbjes minimale të premten kundër Vllaznisë është lëkundur edhe stoli i trajnerit Rrahman Hallaçi. Megjithatë, klubi verilindor ka deklaruar se ai do të vazhdojë të mbetet në postin e trajnerit.
Duket se nuk po ka qetësi në kampin e Kukësit. Humbja minimale e pësuar të premten në Stadiumin “Elbasan Arena” përballë Vllaznisë, në takimin e vlefshëm për javën e 14-të të Kategorisë Superiore ka bërë që të lëkundet seriozisht stoli i trajnerit Rrahman Hallaçi. Por, nëpërmjet një komunikate zyrtare, klubi verilindor mohon se Hallaçi do të largohet nga drejtimi i skuadrës. Kukësi njofton se ish-kapiteni, do të vazhdojë në drejtimin e ekipit dhe po punohet për përforcimin e skuadrës në merkaton e janarit.
Në komunikatë thuhet se Hallaçi ka besimin e klubit dhe gjithë futbollistëve në këtë moment të vështirë që po kalon skuadra. “Trajneri Hallaçi ka besimin e klubit dhe mbështetjen e të gjithë futbollistëve në këtë moment të vështirë për skuadrën, – thekson ndër të tjera komunikata e Kukësit, që më tej sqaron “Skuadra zhvillon të dielën stërvitjen e radhës për ndeshjen ndaj Apolonisë nën urdhërat e trajnerit Hallaçi.”
Ish-kapiteni zëvendësoi në stol trajnerin Skënder Gega, të larguar në ditët e fundit të dhjetorit, por Kukësi vazhdon që mos marrë pikë në kampionat, që nga ai barazim pa gola i 23 dhjetorit me Tiranën, ndërsa nuk e shijon fitoren prej 6 ndeshjesh tanimë, ose që prej më tepër se 5 javësh. Verilindorët ndajnë vendin e 6-të dhe të 7-të me Kastriotin, me nga 17 pikë, plot 15 pikë pas Vllaznisë kryesuese.