Gjergj Vyshka 06.12.2014 13:05
Kavajasi ndjen nostalgji për atë që ka kaluar në vitet e para të karrierës me ekipin e zemrës. Mbrojtësi i djathtë, tashmë i Janinës dhe i Kombëtares, 20 vjeç ishte kapiteni i kavajasve. Andi Lila është krenar për Besën e Kavajës, skuadra që e rriti dhe që e bëri futbollist, sepse 20 vjeç ai ka qenë kapiteni i verdhezinjve. Kjo ka qenë situata për mbrojtësin e kombëtares kuqezi, ndërsa dje në “Facebook”, ai ka shkruajtur: “Nostalgji për KF Besën, që 20 vjeç më bëri kapiten.”
Lila është i datëlindjes 12 shkurt 1986 dhe në moshën 17-vjeçare ka nisur karrierën e tij me Besën në ekipin e parë. Për tre sezone 2003-2006 ai është pjesë e kavajasve, teksa ka luajtur 72 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Falë talentit të tij, teksa i ka kaluar me radhë të gjitha kombëtaret e moshave, një sezon luan me Iraklis të Selanikut, por nuk gjen hapësirat e duhura, ndërsa aktivizohet vetëm në tre ndeshje. Rikthehet dhe një herë tek Besa, në sezonin 2007-2008, luan 29 ndeshje, por nuk shënon asnjë gol.
Karriera e tij shënon rritje, ndërsa do të jetë për tre sezone tek Tirana, 2008-2011, atje ku do të fitojë tituj, Kupë Shqipërie dhe Superkupë. Pa harruar aktivizimet e tij në Kupat e Evropës. E që andej qe bërë pjesë e Kombëtares. Sot është tek Paz Janina, por gjithnjë me mendje tek Besa, e cila vazhdon të notojë në ujëra të turbullta në Kategorinë e Parë, kur duket se ka pak shanse për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Megjithatë ai është krenar për fanellën verdhezi, e cila e afirmoi si kapiten dhe si lojtar, sot ndër më të mirët në kombëtaren kuqezi.
Besa sot ka një ndeshje vendimtare me Veleçikun, në Tiranë, që i jep shpresë për një fitore dhe për t’u rritur në renditje. Dhe Lila këtë kërkon: Mbarësi për Besën e sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar, atje ku dhe ka vendin e vet.